Real Madrid e Manchester City përplasen edhe njëherë për një vend në 1/8 e Champions League. Një betejë e zhvendosur tani në Bernabeu, me spanjollët favoritë, të fortë nga fitorja në angli javën e kaluar. Dortmund e PSG janë të qetë pas sukseseve të arritura, ndërsa me Milan e Atalanta që e kanë mbyllur tashmë aventurën e tyre e gjithë Italia e futbollit është e fokusuar te Juventus. Sonte në orën 21:00 bardhezinjtë do të luajë në fazën “playoff” të Champions League për të mbrojtur një vend në raundin e 1/8-ve kundër PSV.
REAL MADRID – MANCHESTER CITY
Për sezonin e katërt radhazi, ose Manchester City ose Real Madrid do t’i japin fund rrugëtimit të njëri-tjetrit në UEFA Champions League kur të përballen të mërkurën. Skuadra spanjolle është në avantazh për të kaluar më tej, pasi në ndeshjen e parë siguroi një fitore 3-2 në një fund dramatik në “Etihad Stadium”. Pamja e përgjithshme e ndeshjes së dytë do të ishte krejt ndryshe nëse sfida e parë do të kishte përfunduar katër minuta para kohës së rregullt. Në atë moment, City kryesonte 2-1 pasi Erling Haaland shënoi golin e avantazhit dhe më pas riktheu epërsinë nga pika e penalltisë pas barazimit të Kylian Mbappé. Ish-lojtari i City, Brahim Diaz, barazoi në minutën e 86-të, ndërsa Jude Bellingham siguroi fitoren për Real dy minuta pas kohës shtesë. Ky rezultat pasqyroi fazën përmbyllëse të ndeshjes, ku besimi i palëkundur i Real Madrid u përplas me mungesën e vetëbesimit te City.
PSV – JUVENTUS
Ndeshja nis nga rezultati 2-1 i takimit të parë në Torino, me golat e McKennie dhe Mbangula-s që duhet të mbrohen kundër një PSV-je që po has vështirësi në Eredivisie. Nëse kalon më tej, Juventus do të përballet me Interin ose Arsenalin. Pas një të marte zhgënjyese, ku Milan dhe Atalanta u eliminuan respektivisht nga Feyenoord dhe Bruges, Juventus mbetet e vetmja skuadër italiane në fazën “playoff” të Champions-it dhe e vetmja që mund t’i bashkohet Interit në të tetat. Ironikisht, ecuria e luhatshme e Juventusit në fazën e grupeve mund ta vendosë pikërisht përballë zikaltërve në raundin tjetër: Arsenal ose Inter janë kundërshtarët e mundshëm.
BORUSSIA DORTMUND – SPORTING
Borussia Dortmund do të përpiqet të shmangë një nga surprizat më të mëdha në historinë e futbollit evropian kur të presë Sporting Lisbonën të mërkurën në “Signal Iduna Park” për ndeshjen e kthimit të “playoff”-eve të Champions League. Në sfidën e parë më 11 shkurt, BVB fitoi 3-0 falë një paraqitjeje dominuese në pjesën e dytë, ndërsa Sporting nuk arriti kurrë ta rrezikonte seriozisht ekipin gjerman, pavarësisht se regjistroi 13 goditje drejt portës. Dortmund siguroi fitoren falë golave të Serhou Guirassy, Pascal Gross dhe Karim Adeyemi, të cilët shënuan në mënyrë pothuajse identike, duke përfunduar aksionet e nisura nga krahët.
Trajneri Niko Kovaç ka drejtuar ekipin në tre ndeshje, duke humbur dy prej tyre, përfshirë disfatën 2-0 të shtunën kundër Bochum, ekipit të parafundit në Bundesliga. Skuadra e tij ka humbur dy nga tre ndeshjet e fundit, por ka fituar tre dhe barazuar një në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 11 gola dhe pësuar tetë.
PSG – BREST
Paris Saint-Germain pret Brestin në “Parc des Princes” për ndeshjen e kthimit të “playoff”-eve të Champions League, një përballje që pritet të jetë një formalitet për parizienët. Skuadra e Luis Enrique triumfoi 3-0 në ndeshjen e parë, duke i lënë Brestit një detyrë pothuajse të pamundur, pasi asnjë klub në historinë e kompeticionit nuk ka përmbysur një disavantazh të tillë. Duke qenë se kanë kaluar më tej në 17 nga 18 përballjet evropiane ku kanë fituar ndeshjen e parë, sipas statistikave të Opta, PSG ka 99% shanse për të avancuar në të tetat, ku do të përballet me Liverpoolin ose Barcelonën – dy ekipet më të mira nga faza e grupeve.
PSG nuk ka humbur asnjë nga 31 përballjet e fundit kundër Brestit, një seri që daton që nga humbja në Ligue 1 në janar 1985. Rekordi aktual qëndron në 34 ndeshje pa humbje, të mbajtur nga Monaco kundër Montpellier midis 1995 dhe 2018. Skuadra e PSG është në një moment të shkëlqyer, pasi fitorja 1-0 ndaj Toulouse-it në fundjavë, pavarësisht disa ndryshimeve në formacion, e ka çuar serinë e tyre të pamposhtur në 18 ndeshje, me 15 fitore në 16 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
Knockout Round Play-offs Champions League
18:45 Borussia Dortmund – Sporting CP
21:00 PSV Eindhoven – Juventus
21:00 Paris Saint-Germain – Brest
21:00 Real Madrid – Manchester City