Pas një pauze të gjatë, Champions League rikthehet me ndeshjet e parafundit të fazës së kampionatit. Do të ketë përballje vendimtare për renditjen, me verdiktet e para që mund të mbërrijnë pas dy netëve të futbollit evropian. Në fushë do të zbresin edhe Milan e Inter, të cilët kërkojnë pikë të çmuara për të siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave. Kuqezinjtë do të presin Gironën në “San Siro”, ndërsa zikaltrit do të udhëtojnë drejt Pragës për t’u përballur me Spartën dhe për të ruajtur një vend mes tetë ekipeve më të mira të renditjes. Qazim Laçi dhe Kristjan Asllani për herë të parë do të jenë kundërshtarë mes tyre në sfidën Sparta-Inter, ndërsa përballja e madhe luhet në Paris, ku PSG pret Manchester City.
Djemtë e teknikut Inzaghi janë më të qetë falë pozicionit të tyre në tabelë, duke u renditur në vendin e gjashtë me 13 pikë. Megjithatë, do të jetë e rëndësishme që të mos shpërdorojnë dy “match point”-et e fundit për të siguruar kualifikimin direkt në 1/8-at e finales dhe për të shmangur “playoff”-et. Ndërkohë, Milani aktualisht është në vendin e 12-të me 12 pikë dhe vazhdon të shpresojë për t’u futur në Top 8, nëse fiton në dy ndeshjet e fundit. Manchester City në anën tjetër rrezikon jo pak në Paris përballë PSG. Anglezët e teknikut Guardiola janë në vendin e 24 dhe të fundit që të çon në playoff, me një pikë më shumë se parisienët e Luis Enrique. Rezultati do të ishte tepër përcaktues, me vetëm një ndeshje të mbetur pastaj në dispozicion.
LAÇI VS ASLLANI
Inter, me 13 pikë pas gjashtë ndeshjesh, ka arritur katër fitore, një barazim dhe një humbje. Rezultate që e kanë pozicionuar skuadrën e Inzaghit mes më të mirave dhe që, përveç ndonjë surprize të madhe, e projektojnë Interin drejt kualifikimit në Top 8. Sfida kundër Spartës së Pragës ofron një mundësi të rëndësishme për zikaltrit që të arrijnë në kuotën e 16 pikëve dhe të sigurojnë thuajse përfundimisht kalimin e drejtpërdrejtë në fazën tjetër, përpara përballjes së fundit kundër Monacos në “San Siro”. Një situatë ideale për të mbyllur çështjen e kualifikimit, duke pasur parasysh edhe përplasjet e rivalëve në renditje, si Brest dhe Lille.
Megjithatë, Sparta Praga, me 4 pikë, është ende në garë për një vend në “playoff” dhe mund të përpiqet të prishë planet e teknikut Inzaghi. Nëse Inter kalon direkt në 1/8-at e finales, do të siguronte jo vetëm të ardhura më të mëdha financiare, por gjithashtu do të shmangte dy ndeshje shtesë të tensionuara në një sezon të mbingarkuar. Një sfidë shqiptare brenda sfidës: Laçi e Asllani do të jenë për herë të parë kundërshtarë. Mesfushori i çekëve është i sigurtë për prezencën në fushë, por edhe Asllani, pasi u përfshi në formacionin e javës në Serie A dhe kandidohet fort për një vend në skuadrën zikaltër.
MILAN KËRKON SIGURINË PARA NDESHJES SË FUNDIT
Situata për Milan është ndryshe. Me 12 pikë, kuqezinjtë janë pranë zonës së Top 8 dhe kanë dy objektiva: sigurimin e “playoff”-eve dhe një vend mes tetë më të mirëve. Për objektivin e parë, një fitore kundër Gironës do ta mbyllte çështjen. Megjithatë, arritja e Top 8 është më komplekse dhe e ndërlikuar nga pikëpamja matematikore. Duke parë ndeshjen e radhës, Milan nuk mund të lejojë gabime në përballjen me spanjollët nëse dëshiron të sigurojë “playoff”-et dhe të vazhdojë garën për Top 8 në fund të fazës me grupe (ku edhe gjashtë pikë mund të mos jenë të mjaftueshme).
Me kalimin nga Fonseca te Conceição, kuqezinjtë po kalojnë një periudhë të ndërlikuar dhe fitoret e vuajtura ndaj Slovan Bratislavës dhe Crvena Zvezdës treguan se rezultatet nuk duhen marrë si të mirëqena në arenën evropiane. Pavarësisht renditjes së Gironës, Leao dhe shokët e tij duhet të mbajnë vigjilencën maksimale në “San Siro” për të shmangur probleme dhe për të mos e komplikuar sfidën e fundit kundër Dinamos së Zagrebit.
League Stage Champions League
18:45 RB Leipzig – Sporting CP
18:45 Shakhtar Donetsk – Brest
21:00 AC Milan – Girona
21:00 Arsenal – Dinamo Zagreb
21:00 Celtic – Young Boys
21:00 Feyenoord – Bayern Munich
21:00 Paris Saint-Germain – Manchester City
21:00 Real Madrid – RB Salzburg
21:00 Sparta Prague – Inter