Në përfundim të sezonit 2023/2024, gjysma e Serie A dhe edhe disa skuadra evropiane ishin në gjurmët e Thiago Motta. Trajneri, protagonist i rikthimit të Bolonjës në Champions League, pranoi më pas kontratën e pasur trevjeçare deri më 30 qershor 2027 të ofruar nga Juventusi, i cili zyrtarizoi mbërritjen e tij më 12 qershor 2024. Thiago Motta do të përfitonte një pagë bruto prej rreth 5.5 milionë eurosh në sezon, duke iu shtuar edhe 2-3 milionë euro të tjera bruto për stafin e tij. Megjithatë, trajneri, pas disa rezultateve jo fort pozitive, u shkarkua ende pa përfunduar sezoni, duke i lënë vendin Tudor, i cili drejtoi skuadrën deri në fund të sezonit dhe më pas në Botërorin e Klubeve, për t’u shkarkuar edhe ai, duke ia lënë sot vendin Luciano Spalletti.
Gjatë javëve që pasuan, pra, jo vetëm Juventusi, por edhe skuadra të tjera ndërruan trajner. Nga Fiorentina te Genoa e deri te Atalanta, askush nuk mendoi për Thiago Motta. Madje as vetë Juventusi, që me ndërgjegjësimin se e kishte ende nën kontratë, mund t’i kishte dhënë edhe një mundësi tjetër. Në fakt, trajneri më i kërkuar i futbollit italian në përfundim të sezonit 2023/2024, sot – një vit më vonë – nuk gëzon më të njëjtin reputacion dhe vazhdon të shijojë jetën bashkë me familjen e tij, siç tregojnë edhe fotot e fundit të publikuara.
Juventus vazhdon e paguan
Në bazë të shifrave, dhe duke llogaritur edhe sa është paguar deri tani, për teknikun Motta dhe bashkëpunëtorët e tij Juventusi duhet të shlyejë edhe rreth 15-16 milionë euro bruto gjithsej deri në skadimin e kontratës. Ndoshta pikërisht për këtë arsye “Zonja e Vjetër” shpresonte që dikush – ndoshta njëra mes Atalantës dhe Fiorentinës – do të vendoste të besonte tek Thiago. Ky i fundit thuhet se është kontaktuar edhe nga “Dea”, së bashku me Mancinin dhe Palladinon, përpara se të zgjidhej ish-trajneri i Fiorentinës për të drejtuar Gjimshitin dhe shokët e tij pas shkarkimit të Juric.
Sot, pra, Thiago Motta mbetet ende pa skuadër. Ai po shijon familjen, pushimin dhe momentet e qeta me bashkëshorten dhe fëmijët. Në një nga fotot e fundit të publikuara në Instagram nga bashkëshortja e tij, Angela Lee Motta, ish-trajneri i Juventus shihet i ulur rehat në një tavolinë duke parë celularin. “Ditë pushimi të mrekullueshme. Ishin pak, por i shijuam 100%,” – shkruan bashkëshortja e tij duke postuar ato foto. Motta shihet i qeshur dhe i qetë, ndërsa ato ditë – konkretisht më 7 tetor – shumë tifozë të Juves e vajtonin.
Dikush e donte mbrapsht te Juventus
Shumë prej komenteve të tifozëve bardhezi nën atë postim e ftonin trajnerin të kthehej në klub. “Thiagone im, sa më vjen keq për mënyrën si të trajtuan, më mungon,” – shkruan dikush, ndërsa shumë të tjerë përsërisin të njëjtën gjë: “Kthehu, mister.” Ishin ditët kur Juventusi i Tudor filloi të humbiste terren mes barazimeve, paraqitjeve të dobëta dhe pakënaqësive të disa lojtarëve. Ende është herët për të thënë nëse ky do të jetë një sezon larg pankinave për Thiago Motta; nuk përjashtohet mundësia që dikush ta kërkojë përsëri, përndryshe mund t’i hapen dyert e shumë kampionateve të huaja.