Çështja e Belinda Ballukut në gjykatë, akuzat për tunelin e Llogarasë, unazën e Tiranës dhe Albcontrol

SPAK ka përfunduar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe po dërgon në gjykatë kërkesën për gjykimin e saj, të 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive.

Lajmi u bë i ditur këtë të hënë nga kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ishin të pranishëm edhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

“Ju njoftoj për mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun dhe ju bëj me dije se sot çështja do të dërgohet në gjykatë. Vlerësojmë se kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, deklaroi Braho.

Sipas kreut të SPAK-ut, për hetimin janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje.

“Lidhur me këtë çështje penale janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje. Përfitoj nga rasti t’i falënderoj të dy prokurorët. Fillimisht, ata do t’ju njohin me një përmbledhje të çështjes”, u shpreh Braho, përpara se t’ia kalonte fjalën prokurorit Dritan Prençi.

“Sot SPAK po dërgon kërkesën për gjykim në ngarkim të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive”, bëri me dije Prençi.

Ai shpjegoi se hetimet e kryera së bashku me prokuroren Dorina Bejko janë përqendruar në dhjetë procedura, mes të cilave ato për Tunelin e Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe prokurimin për Albcontrol.

Duke folur për procedurën me fond limit rreth 18 miliardë lekë, Prençi tha se, sipas hetimeve, Balluku kishte vijuar të ndiqte dhe të orientonte procedurat në cilësinë e ministres, edhe pasi kompetencat u kishin kaluar strukturave të tjera.

“Qëllimi ka qenë paracaktimi i kompanisë ‘Intecar SRL’”, deklaroi prokurori.

Sipas Prençit, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Gjyli, Mirzeta Kashnica dhe Evis Berberi, kanë shpallur fituesit e procedurës. Ndërkohë, e pandehura Viola Haxhiademi, në cilësinë e personit përgjegjës, dyshohet se ka miratuar preventivin me çmime të fryra, në kundërshtim me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe rregullat për analizat teknike.

“Nga provat e administruara ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur gabim me rreth dy miliardë lekë”, u shpreh Prençi.

Prokurori shtoi se veprime të kundërligjshme janë konstatuar edhe në procedurën për projektin. Sipas tij, Viola Haxhiademi dhe persona të tjerë kanë vepruar në kundërshtim me preventivin e rishikuar.

“Në këtë kuptim, i është shkaktuar dëm shtetit në shumën rreth 5 miliardë lekë”, deklaroi prokurori Prençi.

Sipas të dhënave të bëra publike gjatë takimit me gazetarët, akuzat ndaj Ballukut përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave. Vlera e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1,8 milionë euro.

Pas paraqitjes së kërkesës për gjykim, gjykata do të shqyrtojë çështjen dhe do të vendosë për hapat e mëtejshëm proceduralë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top