Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka mbërritur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku po zhvillohet ceremonia mortore e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Mitsotakis ka ardhur bashkë me delegacionin e tij që përbëhet nga 5 ministra.
Trupi i kryepeshkopi do të prehet në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan, i cili u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale si pasardhës i përkohshëm, do të drejtojë ceremoninë e mortore. Për varrimin e Kryepeshkopit kanë ardhur figurat më të larta të klerit në botë dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse.
Prej dy ditësh në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet janë mbajtur homazhe për Kryepeshkopin e ndjerë, ku kanë marrë pjesë dhe qindra besimtarë. Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 25 janarit. Ai ndodhej prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar.