Carvalho, njeriu që zbuloi Ronaldon jeton në varfëri: “Ka refuzuar të më ndihmojë”

Në vitin 1985 një Ronaldo shumë i ri nuk njihej ende nga askush dhe bëmat e tij të ardhshme sportive ishin vetëm një intuitë e Fernando dos Santos Carvalho, një skaut pak më shumë se njëzet vjeç që hasi në Fenomenin e ardhshëm: ishte i pari që i dha mundësinë të luante duke e aktivizuar në disa miqësore, para se të hynte në radarët e futbollit që ka rëndësi. Pas shumë vitesh, Ronaldo ka një karrierë të papërsëritshme, i shenjtëruar mes më të mirëve të të gjitha kohërave. I ndryshëm dhe më i hidhur fati i Carvalho-s, i reduktuar sot në varfëri ekstreme, pa një shtëpi dhe i sëmurë: “Kam provuar disa herë t’i kërkoj ndihmë, gjithmonë është refuzuar”.

Intuita e Carvalho: zbuloi i pari Fenomenin vetëm 9 vjeç

Një histori mirënjohjeje të munguar në mënyrë ekstreme, ajo e treguar nga Fernando dos Santos Carvalho, që ishte zbuluesi zyrtar i Ronaldo Nazario, i njohur më mirë në botën e futbollit thjesht si “R9” ose “Fenomeni”. Ish-vëzhguesi sot 58-vjeçar, në vitet ’80 drejtonte një shkollë në lagjen e tij, Vila Valqueire Tênis Clube, dhe Ronaldo u mor për një provë në vitin 1984. Në të njëjtën periudhë, Ronaldo luante edhe futsall në një ekip tjetër por, duke mos pasur më vend në fushë, e përdorën si portier. Askush nuk i kishte vënë re potencialet e atij djali dhe tre vite më vonë, kur Carvalho shiti shkollën e tij duke u transferuar tek Social Ramos, vendosi ta merrte me vete djaloshin, duke i nisur në fakt karrierën.

Carvalho për Fenomenin: “Familja nuk kishte mundësi për udhëtimet, u kujdesa unë”

Ai që e tregon është vetë Fernando dos Santos Carvalho, që kujton momentet e para të jetës futbollistike të R9: “Nëna e tij ishte kundër sepse jetonte në një lagje tjetër, por unë i premtova se do ta ndiqja, do t’i qëndroja pranë: shkoja e e merrja dhe e çoja në shtëpi pas stërvitjes. E shoqërova gjithashtu për të luajtur futsall. Duhej të firmoste për Flamengon” kujton Carvalho, “por familja nuk kishte para për të paguar transferimin”. Në fund, falë Jairzinho, ish-golashënuesi më i mirë i Botërorit 1970, Ronaldo kaloi te Cruzeiro për të bërë më pas hapin e madh në Europë, fillimisht te PSV Eindhoven në 1994, pastaj për të bërë të lumtur Barcelonën dhe Interin.

Historia “e fshehtë” e Carvalho: “I kam kërkuar ndihmë, gjithmonë është refuzuar”

Deri këtu historia “zyrtare”, por Carvalho tregon një tjetër, të fshehtë, më reale, të dhimbshme dhe personale: gjatë viteve, ndërkohë që për Ronaldo Fenomenin hapeshin dyert e famës, lavdisë dhe suksesit, për Carvalho nisi makthi me sy hapur. I sëmurë dhe tashmë pa para, u reduktua shpejt në varfëri, situatë në të cilën jeton edhe sot pa as edhe një shtëpi. “Kam tentuar disa herë ta kontaktoj, por pa sukses. Para disa vitesh, mora një autobus për në San Paolo për ta takuar dhe për t’i kërkuar ndihmë, por Ronaldo refuzoi, duke i thënë një përfaqësuesi të tij se nuk kishte kohë për mua”.

Carvalho ka zbuluar se ka provuar në të gjitha mënyrat të rifillojë kontaktet me Ronaldo Fenomenin, gjatë viteve, për të marrë një minimum mirënjohjeje, duke parë vështirësitë e tij ekonomike dhe shëndetësore: “Kam dërguar mesazhe edhe te Renatinho” vazhdoi të tregonte prapaskenën e një marrëdhënieje që nuk vazhdoi kurrë. “Është drejtori që menaxhon disa restorante të Ronaldos në Spanjë, me shpresën për të mundur të lidhesha me të. Por ende po pres një përgjigje…”

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top