Bushati kërkon unitet politik në Shqipëri për Kosovën

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kritikuar se në Shqipëri ende politika nuk gjen gjuhë të përbashkët për ta miratuar një rezolutë për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës më 24 shtator.

Bushati, ka thënë se bota demokratike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, me të drejtë ka dënuar sulmi terrorist të Hamasit të shtunën kundër Izraelit.

Por, tha se në spektrin politik të Shqipërisë nuk po arrihet një unitet edhe për ta dënuar sulmin ndaj Kosovës më 24 shtator.

“Ndërkohë që kanë kaluar dy javë prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë, të njëjtët krahë të politikës nuk gjejnë ende gjuhën e përbashkët për miratimin e një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, për dënimin e sulmit terrorist ndaj Kosovës dhe denoncimin me emër të inspiruesve dhe autorëve të sulmit, të cilët, i morën jetën në krye të detyrës policit Afrim Bunjaku. Në memorien time do të mbetet gjithnjë e pashlyer seanca e Kuvendit të Shqipërisë, e 22 korrikut 2010. Teksa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpallte në mënyrë solemne vendimin e saj për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, në Kuvendin e Shqipërisë u shfaq një ekran i madh, ku deputetët pa përjashtim ndoqën me emocion seancën maratonë të Gjykatës së Hagës. Nuk kishte ngjarje më të rëndësishme për kombin. Ndaj, seanca parlamentare e 22 korrikut 2010 ishte në lartësinë që kërkonte ndërgjegjja kombëtare. Politika shqiptare dëshmoi dinjitet. Nuk kishte kalendar, program apo agjendë parlamentare të planfikuar që mund ta konkurronte atë ngjarje historike. Simbolika e seancës parlamentare ishte e qartë: çështja kombëtare ka përparësi ndaj politikës të ditës”, ka shkruar Bushati në Facebook.

Bushati ka thënë se “s’mund të lejohet që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës”. Ai tha se sjellja e Serbisë ndaj Kosovës më nuk është çështje politike, por është çështje serioze e sigurisë për rajoni dhe për të ardhmen evropiane.

“13 vjet më pas, sherret banale, gara me projekt-rezoluta dhe kërkesa për interpelancë, përçojnë mesazhin e papranueshëm se politika e vuvuzelave ka parakaluar çështjen kombëtare. Kjo nuk është në dinjitetin e politikës dhe as në nivelin e pritshmërisë së shoqërisë shqiptare. Kosova nuk është temë e politikës së jashtme dhe nuk mund të trajtohet as si temë e debatit të brendshëm politik. Kosova meriton të ketë vendin e saj të paprekshëm, pavarësisht rrethanave që prodhon politika e ditës. Nuk duhet të lejojmë që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës. Në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në Europë sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës është një kambanë e fortë alarmi. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Europës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal”, ka thënë Bushati.

Bushati ka thënë se politika në Shqipëri duhet të ngrihet në lartësinë e kërkesave të shoqërisë shqiptare dhe të miratojë njëzëri një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë.

“Kuvendi i Shqipërisë ka plot burra e gra me dije dhe eksperiencë shtetërore që mund të hartojnë një dokument përbashkues që t’i qëndrojë stuhive të kohës. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të dënojë sulmet dhe provokimet e inspiruara nga Serbia kundër Kosovës, dhe të kërkojë bashkëpunimin e Serbisë me Kosovën, duke nisur nga dorëzimi i autorëve të sulmit dhe pranimi i një hetimi ndërkombëtar. Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria shqiptare duhet të angazhohen në një përpjekje të mirëfilltë diplomatike për miratimin e një rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe emërimin e reporterevë të pavarur për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje. Duke pasur parasysh misionin dhe fushën e përgjegjësisë së Këshillit të Europës, praktikën e konsoliduar me trajtimin e rasteve të tilla, por edhe faktin që Rusia nuk është më pjesë e kësaj organizate pan-europiane në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, Shqipëria duhet të kanalizojë enerigjitë politiko-diplomatike në funksion të përmbushjes së këtij objektivi. Në të njëjtën kohë, Shqipëria duhet t’i lehtësojë Kosovës paraqitjen e provave dhe fakteve në forumet dhe organizatat ndërkombëtare, ku Kosova nuk ka qasje, në lidhje me veprimtarinë e ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve të sulmit terrorist”, ka thënë Bushati.

Ai ka thënë se rezoluta e dalë nga Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbështesë punën e gjitha institucioneve të Kosovës në funksionin e zbatimit të ligjit, rendit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës.

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të mbështesë punën e të gjitha institucioneve të Kosovës në funksion të zbatimit të ligjit, rendit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës, e të nxisë bashkërendimin e ngushtë të institucioneve të zgjedhura të Kosovës me partnerët strategjikë: SHBA-të, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të riafirmojë angazhimin e palëkundur të vendit tonë si anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, në mbrojtjen dhe promovimin e arkitekturës së sigurisë rajonale, të mbështetur nga SHBA, NATO dhe BE, qysh prej rënies së perdes së hekurt, e cila bazohet në mosndryshimin e kufijve, bashkëjetesën ndëretnike, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut me fokus te pakicat, dhe pranimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë kontekst, partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të ardhmen euro-atlantike. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të denoncojë politikën e revizionimit të historisë dhe glorifikimit të kriminelevë të luftës dhe akteve terroriste nga Serbia, si pengesë për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë Europiane të rajonit”, tha Bushati.

Ai ka thënë se rezoluta po ashtu duhet të mbështesë angazhimin e aleatëve në NATO për shtimin e trupave në KFOR, si garanci për paprekshmërinë e perimetrit të sigurisë së Kosovës. E po ashtu ka thënë se me këtë rezolutë duhet t’u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende se kanë njohur Kosovën ta njohin atë.

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet t’i bëjë thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së, katër prej të cilave anëtare të NATO-s, që të njohin pavarësinë e Kosovës si kontribut për besueshmërinë e BE-së si ndërmjetësuese; zbatimin e planeve europiane për rajonin; dhe në të njëjtën kohë, si mesazh ndaj Serbisë për të pranuar realitetin e pasluftës në ish Jugosllavi dhe për të ecur në drejtim të rrugës europiane. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet t’i bëjë thirrje vendeve anëtare të NATO-s për të përfshirë sa më shpejt Kosovën në Programin e Partneritetit për Paqe; dhe vendeve anëtare të BE-së për të filluar shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim në BE”, ka shkruar Bushati.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top