Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen për tunelin hekurudhor

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen historike për tunelin hekurudhor ndërkufitar.

Dokumenti u firmos nga Ministri bullgar i Transportit, Grozdan Karadzov, dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Aleksandar Nikoloski, në një ceremoni simbolike në anën bullgare të kufirit.

Tuneli, që pritet të ketë një gjatësi prej 2.4 kilometrash, është një pjesë kyçe e Korridorit të Mesdheut Lindor dhe Korridorit 8, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të rajonit.

Ai do të sigurojë lidhjen hekurudhore midis dy vendeve, duke përmirësuar transportin midis Detit të Zi dhe Adriatikut dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik e integrimin evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Gjysma e tunelit do të ndërtohet në territorin e Bullgarisë dhe gjysma tjetër në atë të Maqedonisë së Veriut.

Ministri bullgar i Transportit, Grozdan Karadzov, theksoi se kjo lidhje është pritur prej dekadash nga të dy vendet.

“Ky projekt filloi më shumë se 100 vjet më parë dhe tani pritet të përfundojë brenda dy viteve. Është një ëndërr e kahershme për bashkatdhetarët tanë. Që nga viti 1942, kur hekurudha mbërriti këtu, të gjithë shpresonin se do të vazhdonte. Por, 83 vjet më vonë, ajo ka mbetur në vend”, u shpreh Karadzov.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut nuk ka ende një linjë hekurudhore funksionale deri në kufi me Bullgarinë.

Pjesa që mbetet për t’u ndërtuar është rreth 65 kilometra, dhe pritet të përfundojë në vitet e ardhshme, ndonëse janë shënuar disa vonesa.

Në anën bullgare, rrjeti hekurudhor deri në kufi është tashmë funksional.
Ndërtimi i tunelit do të financohet kryesisht nga Bashkimi Europian, si pjesë e investimeve për përmirësimin e lidhjeve rajonale.

Në të kaluarën, projekti ka qenë objekt debatesh të ashpra mes dy qeverive, të cilat janë akuzuar reciprokisht për vonesa dhe mosmarrëveshje financiare.

Marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë qenë të tensionuara për shkak të vetos bullgare ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE.

Megjithatë, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shihet si një sinjal pozitiv për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përshëndeti marrëveshjen duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit rajonal.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top