Banka e Shqipërisë po përgatit rishikimin e plotë të kuadrit të administrimit të rrezikut për sektorin bankar, për ta përshtatur atë me standardet e reja dhe me praktikën e ndjekur nga institucionet mbikëqyrëse europiane.
Në raportimin e tij për Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar, Guvernatori, Gent Sejko, tha se këto ndryshime do të bëhen edhe në kuadër të ndryshimit të raportimit financiar për qëllime mbikëqyrjeje, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).
Ndryshimi më thelbësor do të lidhet me mënyrën e llogaritjes së provigjioneve ose fondeve rezervë për humbjet nga kreditë. Aktualisht, sipas kuadrit rregullator që aplikon Banka e Shqipërisë, klasifikimi i kredive me probleme dhe i provigjioneve që llogariten për to bëhet kryesisht bazuar në vonesat kohore në shlyerjen e tyre.
Sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, klasifikimi i kredive dhe llogaritja e provigjioneve mbështetet mbi analizën e gjendjes financiare dhe aftësive të pritshme paguese të huamarrësit. Gjithashtu, IFRS-të mundësojnë edhe zbritjen e vlerës së kolateralit nga humbja e pritshme, duke çuar përgjithësisht në vlera më të ulëta të shpenzimeve për provigjione.
Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, pritet që drafti i rregullores së re të jetë gati brenda këtij viti.
Përdorimi i një standardi të dyfishtë të raportimit financiar prej vitesh është një shqetësim për sektorin bankar në Shqipëri. Aktualisht, bankat raportojnë për publikun, administratën tatimore dhe palët e tjera të interesit sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), që janë standardi i përcaktuar me ligj për këtë kategori biznesi. Por, ato raportojnë paralelisht edhe sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë, për qëllime të mbikëqyrjes bankare.
Nëpërmjet Shoqatës së Bankave, bankat tregtare i kanë përcjellë disa herë Bankës së Shqipërisë me këmbëngulje kërkesën për të kaluar në një sistem raportimi unik, sipas standardit ligjor, IFRS. Në fakt, unifikimin e raportimit të bankave sipas standardeve IFRS, edhe për qëllime të mbikëqyrjes ka qenë në planet e Bankës së Shqipërisë prej shumë vitesh, por procesi ka kaluar në disa shtyrje.
Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë ku raportimi financiar për qëllime të mbikëqyrjes bëhet sipas një standardi të veçantë lokal. Përveç nevojës për një raportim të dyfishtë, që përbën kosto shtesë, problemi kryesor që kanë bankat është natyra tejet konservatore e standardeve lokale të mbikëqyrjes.
Standardet lokale që aplikohen nga Banka e Shqipërisë kanë një qasje më të ngurtë dhe konservatore sidomos në klasifikimin e kredive me probleme, në llogaritjen e provigjioneve dhe në njohjen e teknikave për zbutjen e rrezikut të kredisë. Kjo bën që në shumicën e rasteve fitimet e bankave sipas standardeve lokale të jenë më të ulëta krahasuar me ato që llogariten sipas IFRS-ve.
Megjithëse standardi ligjor i raportimit janë IFRS-të, standardet e Bankës së Shqipërisë janë përcaktuese për sa i takon parametrave rregullatorë që bankat duhet të përmbushin, duke filluar nga treguesi kyç i mjaftueshmërisë së kapitalit. Rrjedhimisht, edhe fitimi efektiv që bankat mund të shpërndajnë si dividend për aksionarët bëhet bazuar mbi standardet lokale të mbikëqyrjes./Monitor.al