“Fituam një garë shumë të vështirë. 3 ditë më parë luajtën një ndeshje të ngjashme ndaj Serbisë, që mund të kishin dalë edhe barazim. Kundërshtar fizikisht i fortë, në qoftë se nuk shënon golin e sigurisë, mund të rrezikosh shumë”. Sylvinho predikon të njëjtat fjalë që konsumoi edhe para ndeshjes me Letoninë, por tani me çlirimin e fitores dhe vajtjes në Beograd me më shumë qetësi.
Tekniku brazilian pastaj pranoi vuajtjen e minutave të fundit dhe hezitimin për të ndërhyrë më shpejt në mbrojtje të rezultatit: “Letonia mund të jenë të rrezikshëm në lojën në ajër. Jam dakord që Kumbulla mund të ishte përfshirë disa minuta më parë në lojë. Ishte një lloj hezitimi për ta nxjerrë Brojën më përpara nga loja, sepse me futjen e Kumbullës, do të sillnim ekipin kundërshtar në zonën tonë, ndaj edhe mendova ta aktivizoj Kumbullën më vonë”.
Pastaj Sylvinho del në mbrojtje të talismanit të sulmit, Armando Broja, por që vazhdon të jetë jashtë formë dhe të lëvizë në fushë pas asnjë efikasitet: “Në pjesën e dytë Broja ka pasur disa hapësira, ka pasur disa kundërsulme të mira, lëvizje në thellësi. Në Kombëtare ke mundësi të luash 6-7 herë në vit, kur vjen tek ne vjen me minutazh të ulur. Është stil i ngjashëm me Mbape, Vinicius dhe Henri. Nuk është një 9 tipike. I shfrytëzon shumë mirë hapësirat dhe mund të depërtojë”.