Britney Spears i është kundërpërgjigjur Kevin Federline pas publikimit të disa pasazheve nga libri i tij i ardhshëm, ku ai e akuzon këngëtaren për një sërë sjelljesh problematike gjatë martesës së tyre.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), artistja e quajti sjelljen e Federline “gaslighting të vazhdueshëm” dhe e përshkroi si “jashtëzakonisht lëndues dhe rraskapitës”.
“Gjithmonë kam bërtitur dhe jam lutur për të pasur një jetë me djemtë e mi,” shkroi këngëtarja e hitit “Toxic”. “Marrëdhëniet me djem adoleshentë janë të komplikuara. Më është hequr dinjiteti në këtë situatë, dhe gjithmonë kam kërkuar, pothuajse jam lutur që të jenë pjesë e jetës sime.”
Spears, 43 vjeçe, ndan dy djem me Federline: Sean Preston (20) dhe Jayden James (19). Ajo pretendon se të dy djemtë kanë qenë dëshmitarë të mungesës së respektit nga babai i tyre ndaj saj ndër vite.
Ajo gjithashtu pohoi se njëri nga djemtë e ka parë vetëm për 45 minuta gjatë një viti, ndërsa tjetri vetëm katër herë në pesë vjet.
“Edhe unë kam krenarinë time,” shkroi Britney. “Që nga tani do t’ua bëj të qartë kur jam e disponueshme. Unë jam e vetmja që lëndohet vërtet.”
Në fund të deklaratës së saj, ajo shtoi se do t’i dojë gjithmonë djemtë e saj dhe se publiku nuk duhet t’i besojë thashethemeve për shëndetin e saj mendor apo për përdorimin e alkoolit.
“Jam një grua mjaft inteligjente që është përpjekur të jetojë një jetë të shenjtë dhe private gjatë pesë viteve të fundit. Fola për këtë sepse kam duruar mjaft. Çdo grua e vërtetë do të bënte të njëjtën gjë.”
Në një fragment të publikuar nga New York Times, Federline pretendon se djemtë “ngriheshin natën dhe e shihnin Britney-n duke qëndruar në derë me një thikë në dorë, duke i parë teksa flinin.” Në intervista të fundit, ai ka shprehur shqetësim për gjendjen mendore të Spears dhe ndikimin tek fëmijët.
“Jam i tmerruar se një ditë fëmijët e mi mund të përballen me diçka të paimagjinueshme,” u shpreh ai për Entertainment Tonight.
Britney Spears dhe Kevin Federline kanë qenë të martuar nga viti 2004 deri në vitin 2007. Pas ndarjes dhe problemeve të Spears me shëndetin mendor, Federline fitoi kujdestarinë e plotë të fëmijëve. Kujtojmë se Spears qëndroi nën një kujdestari ligjore për 13 vjet, e cila përfundoi në vitin 2021.