Britania mund ta njohë shtetin palestinez përpara arritjes së një marrëveshjeje paqeje me Izraelin

Kryediplomati britanik tha të enjten se vendi i tij mund të njohë zyrtarisht një shtet palestinez, pas një armëpushimi në Gaza, pa pritur për rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare midis Izraelit dhe palestinezëve për një zgjidhje me dy shtete.

Gjatë një vizite në Liban të enjten, me qëllim uljen e tensioneve rajonale, Sekretari i Jashtëm David Cameron tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se nuk do të ketë asnjë njohje ndërsa Hamasi vazhdon të jetë Gazë. Ai tha se njohja mund të vijë ndërsa vazhdojnë negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve.

Njohja nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara e një shteti të pavarur palestinez “nuk mund të vijë në fillim të procesit, por nuk duhet të jetë në fund të procesit”, tha kryediplomati Cameron, i cili ka shërbyer më parë në postin e kryeministrit të Britanisë.

“Mund të jetë diçka që merret në konsideratë pasi procesi dhe përparimi drejt një zgjidhjeje, bëhet më real”, tha zoti Cameron. “Ajo që duhet të bëjmë është t’i japim popullit palestinez një mundësi drejt një të ardhmeje më të mirë, të ardhmes për të pasur shtetin e tyre”.

Kjo perspektivë është “absolutisht jetike për paqen dhe sigurinë afatgjatë të rajonit”, tha ai. Britania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore e kanë mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez që ekziston përkrah Izraelit, si një zgjidhje për konfliktin më të vështirë të rajonit, por kanë thënë se pavarësia duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar.

Që nga viti 2009 nuk ka patur negociata thelbësore për këtë çështje. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, nga ana e tij, e ka kundërshtuar publikisht krijimin e një shteti të pavarur palestinez pas luftës. Madje ai është mburrur gjatë javëve të fundit se ka luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin e krijimit të shtetit palestinez.

Përpjekjet e disa prej aleatëve kryesorë të Izraelit për të njohur një shtet palestinez pa pëlqimin e Izraelit, mund ta izolojë Izraelin dhe të ushtrojë trysni për të qenë pjesë e diskutimeve. Zoti Cameron tha se hapi i parë duhet të jetë një “pauzë e luftimeve” në Gazë që përfundimisht do të shndërrohej në “një armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm”.

Ai shtoi se në mënyrë që vendi i tij të njohë një shtet palestinez, udhëheqësit e grupit militant Hamas duhet të largohen nga Gaza “sepse nuk mund të kemi një zgjidhje me dy shtete me Gazën ende të kontrolluar nga individët përgjegjës për 7 tetorin”, duke iu referuar sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza.

Deri më tani, Hamasi ka mbajtur qëndrimin se udhëheqësit e grupit militant nuk do të largohen nga Rripi i Gazës si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim. Zoti Cameron tha se vendi i tij po propozon gjithashtu një plan për të ulur tensionet në kufirin mes Libanit dhe Izraelit, ku grupi militant libanez Hezbollah dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë gjatë katër muajve të fundit, duke shkaktuar frikë për një luftë më të gjerë rajonale. Plani do të përfshijë trajnimin e forcave të ushtrisë libaneze nga Britania për të kryer më shumë aktivitete sigurie në rajonin kufitar, tha ai.

Marrë nga VOA

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top