Majlinda Bregu emërohet nga Organizata Botërore e Shëndetesisë- Europë, Komisionere në Komisionin Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin.
“Jam e nderuar të ndaj lajmin se i jam bashkuar Komisionit Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin (PECCH), të krijuar nga OBSH/Europa, në cilësinë e Komisioneres”, ka shkruar sot Bregu në postimin ku ka bërë me dije këtë lajm.
Ky Komision i pavarur këshillimor përbëhet nga 10 komisionerë, përfshirë ish-liderë politikë dhe figura me reputacion nga fusha të ndryshme—shkenca, mjekësia, politika publike,të përzgjedhur për të përfaqësuar një spektër të gjerë përvojash dhe rajonesh të Europës të OBSH-së.
Komisioni synon të adresojë ndikimet që ndryshimet klimatike, rritja e temperaturave, ndotja e ajrit dhe ujit, sigurinë ushqimore, si dhe fenomenet ekstreme natyrore si tërmetet dhe përmbytjet etj, kanë mbi shëndetin tonë.
Sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me klimën.
Ka të bëjë me jetën.
Nga ajri që thithim dhe uji që pimë, te siguria ushqimore, valët e të nxehtit ekstrem, përmbytjet dhe përhapja e sëmundjeve—ndryshimet klimatike janë kthyer në një krizë të shëndetit publik.
Gjatë kohës që drejtoja Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, një ndër arritjet më të rëndësishme ishte miratimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor—vetëm një vit pas Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.
Në Europë, mbi 175,000 njerëz humbin jetën çdo vit për shkak të kushteve të lidhura me të nxehtin ekstrem. Në Ballkanin Perëndimor, ndotja e ajrit shkakton:
* 3,000 vdekje të parakohshme në vit
* 8,000 raste bronkiti te fëmijët
* Qindra mijëra raste sëmundjesh kronike, me një kosto që arrin deri në 11.5 miliardë euro çdo vit
Në një kohë kur vendimmarrja politike shpesh duket më personale sesa publike, kjo detyrë është një kujtesë se politika mund të udhëhiqet nga një standard tjetër—ai i shërbimit dhe përgjegjësisë.