Brad Pitt ka thyer heshtjen për divorcin e tij shumë të komentuar me Angelina Jolie, duke deklaruar se finalizimi i tij nuk ishte një moment dramatik për të.
Në një intervistë të re për revistën GQ, aktori 61-vjeçar u pyet nëse ndjeu lehtësim pas zgjidhjes ligjore të divorcit në dhjetor 2024, pas një beteje që zgjati tetë vite. “Jo, nuk mendoj se ishte ndonjë gjë aq e madhe,” – u shpreh Pitt.“Thjesht diçka që arriti në përfundim. Në mënyrë ligjore.”
Aktori i njohur pranoi se jeta e tij personale është në vëmendjen e publikut prej dekadash, çka ka ndikuar shpesh në jetën e tij private: “Ka qenë në lajme për 30 vjet, ose një version i jetës sime personale,” shtoi ai. “Ka qenë gjithmonë një bezdi që më është dashur ta përballoj, ndërkohë që përpiqem të bëj atë që dua vërtet.”
Megjithatë, ai theksoi se sot ndjehet më i qetë dhe i përmbushur: “Jeta ime është e qetë. Ndihem ngrohtë dhe i sigurt me miqtë, me të dashurit, me familjen time… është si një mizë që rri duke bezdisur – nëse i jep rëndësi.”
Brad Pitt dhe Angelina Jolie u njohën në xhirimet e filmit Mr. & Mrs. Smith në vitin 2005 dhe u martuan në vitin 2014. Dy vite më vonë, Jolie kërkoi divorcin pas një incidenti të dyshuar në një fluturim privat ku ndodheshin edhe gjashtë fëmijët e tyre. Pitt u hetua por nuk u akuzua për ndonjë shkelje ligjore.
Çifti ka gjashtë fëmijë biologjikë – Shiloh (19), binjakët Knox dhe Vivienne (16), Maddox (23), Pax (21) dhe Zahara (20).
Pas ndarjes, ish-çifti u përfshi në një betejë të gjatë për kujdestarinë e fëmijëve dhe ndarjen e pasurisë, përfshirë pronën luksoze në Francë, Château Miraval. Më 30 dhjetor 2024, përfaqësuesit ligjorë të Jolie konfirmuan se marrëveshja përfundimtare e divorcit ishte arritur.
“Ky është vetëm një hap në një proces të gjatë që nisi më shumë se tetë vite më parë,” tha avokatja e aktores. “Angelina është e rraskapitur, por e lehtësuar që kjo pjesë më në fund është mbyllur.”
Burime pranë aktorit kanë deklaruar se Pitt është i lumtur që çështja e divorcit është mbyllur dhe aktualisht është në një lidhje me Ines de Ramon, që nga viti 2022.
Ndërkohë, Jolie ruan marrëdhënie të afërta me të gjithë fëmijët, ndërsa raportet e Pitt me ta mbeten të tensionuara. Vajza e tyre Shiloh ka hequr zyrtarisht mbiemrin Pitt vitin e kaluar.