Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, ka thënë se shpreson që Kosovës t’i hiqen shpejt masat, edhe nëse kjo ndodh në mënyrë graduale.
Në një konferencë për mediat mbrëmë, Borrelli është pyetur edhe për takimin e liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, të ftuar për të mërkurën. Përfaqësuesi që është në fund të mandatit, ka thënë se e ka parë të domosdoshme të rikthehen takimet e nivelit të lartë “për të kuptuar ku jemi”.
“Natyrisht, unë vazhdoj të përpiqem që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrijë zgjidhje operative, sepse ne tashmë kemi një marrëveshje. Kemi marrëveshjet e Ohrit. Problemi është që marrëveshjet duhet të zbatohen. Palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë për njërën apo tjetrën arsye.
Mendoj se ishte e domosdoshme të vazhdojmë takimet e nivelit të lartë që të kuptojmë se ku jemi, sidomos në kohën kur shtetet anëtare po e diskutojnë propozimin tim për t’i hequr sanksionet ndaj Kosovës.
Unë shpresoj që sanksionet do të hiqen. Të paktën ky është propozimi im. Qoftë edhe në formë graduale, por shpejt. Kjo mund të krijojë një skenar në të cilin nuk them se dialogu do të rifillojë, por të paktën nuk do të mbyllet papritur. Dy liderët nuk janë takuar prej kohësh në kuadër të dialogut dhe nuk dua të dorëzohem, para se të përfundoj manadati im””, ka thënë Borrell.
Javën e shkuar, përfaqësues të vendeve të BE-së nisën diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës, në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ku janë ambasadorët e vendeve anëtare.
Masat të cilat i janë vendosur Kosovës një vit më parë pritet që të hiqen gradualisht dhe pjesërisht, teksa kjo do të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim. Heqja “graduale” e masave, sipas burimeve, është një kompromis i vendeve anëtare të Bashkimit Europian pasi që ato nuk janë pajtuar që të gjitha se Kosova i ka përmbushur në tërësi kërkesat e vendosura nga BE-ja. Bazë për diskutim ka qenë raporti i Borrellit.