Blushi: T’i jepet fund trajtimit çnjerëzor të Ilir Metës në paraburgim!

Sekretari i përgjithshëm Partisë së Lirisë, Tedi Blushi denoncoi në një deklaratë për mediat situatën e trajtimit të Presidentit Ilir Meta në institucionet e paraburgimit, duke theksuar se kjo çështje përbën një shqetësim të madh për të drejtat dhe liritë themelore.

Blushi kërkoi hetim ndërkombëtar mbi arrestimin dhe trajtimin e Presidentit Meta, duke theksuar se situata aktuale është një precedent shqetësues për demokracinë në vend dhe për respektimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ai kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë Komisionin kundër Torturës të Këshillit të Evropës dhe Bashkimin Europian.

Deklarata e plotë për media:

Në emër të Partisë së Lirisë i kërkoj zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë të reagojë menjëherë dhe të zbatojë pa vonesë nëntë rekomandimet e Avokatit të Popullit lidhur me dhënien fund të trajtimit çnjerëzor dhe kriminal të Presidentit Ilir Meta, i cili prej më shumë se një viti, pa asnjë fakt dhe provë penale kundër tij, pa asnjë pasuri të paligjshme të konfiskuar, pa as një qindarkë dëm financave publike të konstatuar, vijon megjithatë të mbahet i burgosur politik në IEPV “Jordan Misja”, një institucion që çdo ditë ekspozon në dritë të diellit fytyrën represive të këtij regjimi.
Është e domosdoshme t’i kujtoj Ministrit të Drejtësisë, se konstatimet e Avokatit të Popullit janë zyrtare, një akt-akuzë ndaj regjimit represiv të Edi Ramës, që propogandon integrimin europian si mision të tij, por që me shkeljen flagrante të Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, konfirmon se është armiku më i madh i integrimit europian të Shqipërisë dhe i cili nëpërmjet prokurorisë politike rrëmbeu në mënyrë mafioze Presidentin Meta, duke vulosur kësisoj edhe standardet e paligjshme të hetimit
Edhe regjimi autoritar i Vladimir Putinit, në dukje dhe formalisht është përpjekur t’u respektojë të drejtat si të paraburgosur të kundërshtarëve politikë të regjimit, njëri prej të cilëve nuk doli më i gjallë nga burgu në Arktik.
Dua t’u dëshmoj dhe t’u rikujtoj se edhe Putin lejonte Alexei Navalny, të të jepte intervista për mediat, ndërkohë që Ilir Metës, kjo e drejtë jo vetëm nuk i lejohet, por përkundrazi ndëshkohet me masa më represive pse nëpërmjet telefonit tim të ligjshëm dhe të mbrojtësit të tij ligjor relazioi dy komunikimeve telefonike me gazetarët.
Po ashtu, një tjetër kritik i Kremlinit, Khodorkovsky, është lejuar të japë intervista nga kafazet e regjimit autoritar të Rusisë.
Jo vetëm kaq por edhe duke ju dhënë e drejta të denononcin kushtet kriminale të trajtimit dhe të shprehnin të gjithë kritikat e tyre ndaj regjimit.
Ndërkohë, në Shqipërinë e Edi Ramës, dhe më vjen keq që më duhet t’i referohem një vendi si Rusia – të drejtat e të paraburgosurve janë prapa jo vetëm Rusisë së Putinit, por edhe Vietnamit komunist, ku kundërshtarëve politikë u lejohej qasja në media.
Kjo situatë është e papranueshme në një vend anëtar të NATO-s, që ka ratifikuar Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që është pjesë e Këshillit të Europës dhe që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Për fat të keq, Shqipëria e Edi Ramës nuk arrin as standardet minimale të Rusisë së Putinit.
Konstatimet e Avokatit të Popullit janë të rënda dhe përbëjnë një akt-akuzë publike dhe zyrtare ndaj këtij regjimi represiv. Ato duhen zbatuar pa asnjë vonesë.
E kuptoj frikën e Edi Ramës nga të vërtetat që z. Meta thotë. E kuptoj dhe urdhrat që jepen për të mos lejuar as filmimin e tij gjatë votimit brenda institucionit ku mbahet i burgosur politik. Por frika e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij nuk mund të shndërrohet në standard për trajtimin e z. Meta.
Avokati i Popullit ka evidentuar të paktën katër shkelje të rënda të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kufizimi i takimeve vetëm në katër dhe ndalimi i deputetëve e eurodeputetëve për ta vizituar përbëjnë shkelje të hapur të Konventës dhe të Kushtetutës.
Po ashtu, ndalimi dhe kufizimi i telefonatave, veçanërisht i prononcimeve për median, është shkelje flagrante e këtyre standardeve ndërkombëtare.
I bëj thirrje qeverisë: përpiquni të arrini të paktën standardet e Putin-it – sepse nuk po u kërkoj standardet e një vendi demokratik të NATO-s.
Avokati i Popullit ka evidentuar gjithashtu se, përveç shkeljes së Konventës Europiane, regjimi aktual shkel edhe Rregulloren Europiane të Burgjeve, të miratuar nga ky Parlament si pjesë e Rezolutës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.
Për më tepër, po shkelni edhe Rregullat Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, të njohura si Rregullat e Nelson Mandelës. Edhe regjim i Aparetheid-it, me gjithë kriminalitetin e vet, ia lejonte Mandelës të drejtën për komunikim me median dhe ushtrimin e aktivitetit fizik – të drejta që sot regjimi i Edi Ramës ia mohon z. Meta.
Çdo ditë që kalon konfirmon të vërtetën se rrëmbimi politik, hetimet politike, burgosja politike dhe trajtimi çnjerëzor janë urdhra direkte të Edi Ramës, që nëpërmjet prokurorisë dhe gjykatave të kapura nëpërmjet “Ramaformës”.
Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri:
Zbatimin pa vonesë të 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Ndërhyrje urgjente dhe pa vonesa të të Gjykatës Kushtetuese, për të konstatuar shkeljet flagrante të të drejtave themelore të qytetarit Ilir Meta dhe për të rikthyer ligjshmërinë në vend duke i dhënë fund masës absurde, kriminale dhe politike të arrestit me burg për Presidentin e Partisë së Lirisë.
Një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi mënyrën kriminale të arrestimit, përgjegjësit e këtij rrëmbimi politik dhe trajtimit çnjerëzor të Z. Meta
Reagim të menjëhershëm të institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të Njeriut, veçanërisht të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Evropian, të Komisionit kundër Torturës, për këtë precedent të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri.
Kjo për shkak se me aktin e rrëmbimit janë shkelur të paktën 10 nene të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut:
Neni 2 – E drejta për jetë (në lidhje me rrezikun ndaj jetës dhe sigurisë në paraburgim).
Neni 3 – Ndalimi i torturës ose trajtimeve ç’njerëzore ose degraduese.
Neni 5 – E drejta për liri dhe siguri.
Neni 6 – E drejta për një proces të rregullt.
Neni 10 – Liria e shprehjes (në lidhje me ndalimin e komunikimit publik).
Neni 11 – Liria e tubimit dhe asocimit.
Neni 14 – Ndalimi i diskriminimit (për shkak të funksionit politik).
Neni 3 i Protokollit nr. 1 – E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kuptimin e pengesës në ushtrimin e funksionit opozitar).
Neni 14 – Ndalimi i diskriminimit (për shkak të funksionit politik).
Këto veprime përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për lirinë dhe sigurinë e çdo qytetari shqiptar, si dhe një shenjë alarmante e kapjes dhe politizimit të institucioneve të zbatimit të ligjit nga Edi Rama, që e ka shndërruar sot Shqipërinë në të vetmin vend anëtar të NATO-s me të burgosur politik.
Kjo është një betejë për demokracinë, për dinjitetin njerëzor, për lirinë e të gjithë shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe në emër të tyre ne do vijojmë të çmontojmë të gjitha akuzat politike të këtij procesi kriminal dhe politik, në Tiranë dhe në Strasburg.
Faleminderit!

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top