Mëngjesin e kësaj të martë asnjë kamion nuk do të kalojë në tokën malezeze, pasi shoqata e transportuesve atje ka hyrë në grevë 72-orëshe.
Nga ora 9:30 e kësaj të marte ka hyrë në fuqi masa kufizuese nga autoritetet malazeze për transportin e tonazhit të lartë, pra kamionët, për të hyrë në drejtim të Malit të Zi. Kjo si pasojë e një greve të përgjithshme të shoqatës së kamionistëve, të cilët kanë paralajmëruar protestë për 3 ditët e ardhshme.
Sipas udhëzimit të fundit, në akset që çojnë drejt pikave kufitare me Malin e Zi do të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve. Policia Kufitare u ka bërë thirrje drejtuesve të kamionëve të respektojnë masën e përkohshme, për të shmangur bllokimet dhe incidentet e mundshme në rrugë.
Nga vëzhgimet në terren rezulton se masa është zbatuar pa probleme në ditën e parë, pasi drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë janë informuar dhe kanë kaluar përpara hyrjes në fuqi të kufizimit. Autoritetet theksojnë se situata po monitorohet për të shmangur çdo bllokim të mundshëm.
Arsyeja e protestës së kamionistëve mbetet ende e paqartë, ndërsa në muajin shkurt shoqatat e transportit ndërkufitar në rajon protestuan për rregulla të reja të hyrje-daljes në zonën Shengen. Situata pritet të ndiqet në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve të grevës.