“Në karrierë mendoj se kam pasur shumë portierë të mirë në penallti, por Safonov është më i miri nga të gjithë në të kuptuar se nga do të hidhet, ku do të godasë ekzekutuesi. Është një cilësi shumë e rëndësishme”. Fjalët e Luis Enrique pas fitores së PSG ndaj Strasburg, e vendosur edhe nga penalltia e pestë radhazi e pritur nga portieri rus, pas katër të tjerave ndaj Flamengo në finalen e Interkontinentales, duken më shumë se një mendim i sinqertë i spanjollit si një justifikim i faktit se trajneri tashmë e ka zgjedhur atë si titullar.
Ai preferon Safonov ndaj Chevalier, i ardhur në verë për plot 55 milionë euro sepse konsiderohej nga Luis Enrique më i përshtatshëm për lojën e tij sesa Gigio Donnarumma.
Portieri francez, i ardhur me bujë, kishte debutuar duke pritur dy penallti në Superkupën e Europës ndaj Tottenham dhe një tjetër ndaj Tolosa në fund të gushtit, por gabimet dhe pasiguritë e gjashtë muajve të parë parizianë e kanë bindur Luis Enrique të mbështetet te rusi, të cilin tani e vlerëson publikisht edhe për të mos ushqyer nostalgjinë për numrin një të Italisë.
Donnarumma, pra, i harruar, pavarësisht se ish-portieri i Milanit ishte vendimtar për fitimin e Champions League me penalltitë e pritura në Anfield dhe se në karrierë ka një përqindje shumë të lartë (85.7%) fitoreje në ndeshjet e përfunduara me penallti.