Skënderbeu ka marrë një fitore jetike në transfertë ndaj Laçit, duke dalë triumfues nga një sfidë që mund të kishte vlerën e një qëndrimi në elitën e futbollit shqiptar. Korçarët u treguan më cinikë dhe shfrytëzuan në maksimum gabimet e vendasve, duke fituar me rezultatin 2-1 në një përballje direkte për mbijetesë. Bismark realizoi një dygolësh shumë të rëndë që praktikisht i jep shpëtimin korçarëve.
Sfida nisi me Laçin që u përpoq të merrte kontrollin e lojës, por ishte Skënderbeu ai që goditi i pari. Në minutën e 19′, një gabim i rëndë i mbrojtësit Lleshi, që nuk arriti të kontrollojë një kthim topi prapa, i dhuroi Bismark rastin ideal për të kaluar korçarët në avantazh. Përgjigja e Laçit nuk vonoi shumë. Në minutën e 39′, Tresa gjeti hapësirën e duhur dhe shërbeu bukur për Kordeiron, i cili barazoi shifrat për vendasit, duke rikthyer shpresat te skuadra e drejtuar nga Armando Cungu. Laçi kishte mundësinë të përmbyste gjithçka menjëherë, por në minutën e 41′, goditja e Bullarit përfundoi jashtë, ndonëse preku edhe shtyllën.
Në pjesën e dytë, korçarët menaxhuan më mirë lojën, ndërsa Laçi nuk arriti të konkretizonte rastet e krijuara. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Skënderbeu goditi sërish. Në minutën e 83-të, pas një aksioni nga krahu i djathtë, Nasr shërbeu për Bismark, i cili përfitoi edhe nga devijimi i mbrojtësit Lleshi, për të çuar topin në rrjetë dhe për të vulosur fitoren 2-1 për miqtë. Laçi provoi gjithçka deri në fund për të shpëtuar të paktën një pikë, por në kohën shtesë Traore shpërdoroi një mundësi të artë i vetëm përballë portës, duke dërguar topin jashtë.
Gjoka feston në Laç, Moriero në telashe
Ernest Gjoka vazhdon të udhëheqë bardhekuqtë drejt një shpëtimi të jashtëzakonshëm, por pas ndeshjes e kaloi meritën te lojtarët e tij: “Një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e fortë ndaj një kundërshtari direkt. Meritë absolute e lojtarëve të mi që treguan forcën dhe cilësitë që kanë në një fushë të tillë. Duke parë dhe kushtet atmosferike të erës ata nuk u dorëzuan. Era ndikonte shumë dhe nuk mund të luanim topin poshtë”.
Në këtë mënyrë, Skënderbeu largohet nga Laçi me tre pikë të arta dhe merr frymë më lirshëm në luftën për mbijetesë, ndërsa kurbinasit rrezikojnë seriozisht zbritjen nga kategoria. I këtij mendimin, edhe pse me keqardhje, është tekniku i kurbinasve Francesco Moriero: “Ishte një ndeshje delikate, fatkeqësisht kohët e fundit pësojmë gol me gjysmë goditje në portë. Më vjen keq për djemtë dhe klubin, por duhet të luftojmë dhe të marrim sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura. U munduam të adaproheshim me klimën, pak herë më ka ndodhur një gjë e tillë.