Është bërë publik raporti i plotë i Partisë Demokratike në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, ku rekomandohet heqja e imunitetit për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Në raport theksohet se, sipas SPAK, Balluku dyshohet se ka përdorur “të fortë” dhe anëtarë të kabinetit të saj për të intimiduar një dëshmitare të çështjes. Dëshmitarja ka deklaruar para prokurorëve se është tunduar me anë të korrupsionit për të ndryshuar deklarimet e saj dhe, si pasojë, është ndjerë e frikësuar.
Lidhur me provat e administruara, prokurori Klodian Braho citohet të ketë theksuar se materiali hetimor është i një volumeni të jashtëzakonshëm, aq sa, nëse do të printohej, do të mbushte disa automjete.
“Është thjesht një hard disk nga ana praktike, që po ta printosh, pa ekzagjerim mund të jenë dy apo tre furgonë me letra, por është në gjendje elektronike.”
Në raport shtohet se: “Të gjitha provat e mësipërme mbështesin ligjërisht përmbushjen e kushtit për ekzistencën e ‘dyshimit të arsyeshëm’ për kryerjen e veprës penale. Provat janë të konsiderueshme dhe në këtë fazë vlerësohen të mjaftueshme për të krijuar bindjen e ekzistencës së ‘dyshimit të arsyeshëm’”, citohet ai.
Nga ana tjetër, prokurori Drita Prençi citohet të ketë deklaruar se ekziston një bisedë e përgjuar mes një personi të marrë të pandehur bashkë me Ballukun dhe një personi tjetër ndërveprues në çështje.
Sipas Klodian Brahos, kjo bisedë telefonike ka ndodhur pas vendimit të Gjykatës për Ballukun.
“Vendimi i gjykatës është i datës 19.11.2025, data kur është zhvilluar biseda telefonike është data 20.11.2025, pra është pas vendimit të gjykatës. Pyetët pak më parë se a ka një akt për hetim ndaj personit nën hetim, për procedurat e reja të prokurimit akti që atribuon është akti i prokurorit që urdhëron pasqyrimin në regjistër edhe të fakteve të reja dhe nuk ka akt tjetër. Pra, nuk është e nevojshme të nisë procedim tjetër penal. Për sa i përket bisedës që, ne e kemi paraqitur si provë, dyshohet se po ndikohet te personat e pyetur. Patjetër që ato fakte janë objekt hetimi, por deri në këtë moment nuk është atribuuar ndonjë fakt konkret personit në hetim për këtë bisede, por janë objekt hetimi”, thuhet në raport.