BIRN: Zyrtarët e lartë dhe krimi i organizuar u bënë njësh në mbrojtje të Ergys Agasit

Hetimet e SPAK sugjerojnë se Ergys Agasi, i shpallur në kërkim për përfshirje në krim të organizuar, dyshohet se u ndihmua të shmangte arrestimin për muaj me radhë përmes kontakteve me zyrtarë të lartë dhe eksponentë të krimit të organizuar.

Më 22 shtator, Policia kontrolloi një kompleks vilash të fortifikuara në Shkozet të Durrësit, ku dyshohet se Agasi ishte strehuar gjatë arratisë. Sipas burimeve të BIRN, kompleksi lidhet me klanin “Troplini”, të cilin SPAK e konsideron një nga grupet më të rrezikshme të krimit të organizuar në Shqipëri. Në kuadër të hetimit janë përfshirë edhe drejtues të lartë të institucioneve shtetërore, mes tyre shefja e SHISH, Vlora Hyseni, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe zyrtari i Institutit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi.

Sipas të dhënave të dosjes të publikuara në media, nga qershori deri në gusht Hyseni ka pasur mbi 500 komunikime me Agasin, përfshirë telefonata, video dhe mesazhe. Ajo dyshohet se e informonte për takime me zyrtarë të lartë dhe se kishte vënë në dispozicion të tij edhe informacion apo kapacitete të institucionit që drejtonte. Hyseni e ka kundërshtuar këtë version, duke deklaruar se komunikimet kishin nisur pasi Agasi ishte ofruar si “bashkëpunëtor”, pretendim që SPAK e kundërshton.

Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepatit në Durrës, pas rreth tetë muajsh në arrati. Sipas hetimeve, gjatë kësaj kohe ai lëvizte lirshëm dhe mbante kontakte me persona të botës së krimit dhe funksionarë shtetërorë. Hetimi ka ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes zyrtarëve të lartë dhe grupeve të dyshuara të krimit të organizuar. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj e ka akuzuar publikisht Agasin se luante rolin e “koordinatorit” mes botës së krimit dhe qeverisë së Edi Ramës./BIRN

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top