BIRN: Nga arratia në Zvicër, Ahmetaj hap thesin për të lobuar në SHBA

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nënshkroi një kontratë me vlerë 150 mijë dollarë për të informuar qeverinë amerikane për pretendimin se akuzat e shumëfishta për korrupsion kundër tij në Shqipëri janë “të pavërteta”. Dokumentet e lobimit, të depozituara nga kompania lobuese e kontraktuar nga Ahmetaj, incidentalisht zbulojnë gjithashtu se ish-zëvendëskryeministri banon aktualisht në Lugano të Zvicrës, qyteza piktoreske e njohur si rezidencë për banka dhe për biznesmenë, në brigjet e liqenit me të njëjtin emër në kufi me Italinë. [Kliko për të lexuar dokumentin]

Ahmetaj është në arrati nga drejtësia shqiptare, i kërkuar që nga qershori i vitit të kaluar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se ai dhe familjarë të tij kanë përfituar vila dhe pagesa me vlerë qindramijëra euro nga biznesmenët në Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, gjithashtu në arrati nga drejtësia shqiptare. Sipas SPAK, Zoto ka përdorur kartën e tij bankare si dhe llogaritë e kompanisë ITS për të paguar shpenzime të ndryshme për Ahmetajn dhe të afërm të tij, përfshirë hotele luksi në vende të ndryshme apo shpenzimet për rinovimin e një apartamenti.

Ahmetaj pretendon se është i pafajshëm ndaj akuzave. Në një intervistë për televizionin Syri, ai deklaroi se ka marrë kërcënime me jetë, ndërsa nuk zbuloi se ku gjendej. Ai i kërkoi SPAK të hetojë çështjen e incineratorit të Tiranës përmes praktikës së “ndjekjes së parave”, ndërsa deklaroi se rezultatet e një hetimi të tillë do ‘t’i trondisin shqiptarët’.

Zyrtarisht, SPAK është ende duke hetuar në shumë drejtime skandalin e incineratorëve, i cili u ka kushtuar shqiptarëve deri më sot minimalisht 150 milionë euro. Veçmas, Ahmetaj akuzohet për abuzim me detyrën në dëm të pronarëve të tokës në rastin e privatizimit të një ngrehine shtetërore që dikur ka qenë fabrikë buke në rrugën 5 maji në Tiranë. Sipas akuzave, Ahmetaj refuzoi të zbatojë një vendim gjykate që i kërkonte të rivlerësonte aksionet që i takonin pronarëve të tokës në kompaninë shtetërore para privatizimit, duke i hequr atyre pjesën dërrmuese të asaj që gjykata i kishte caktuar dhe duke e shitur tokën si aset të kompanisë në ankand.

Kompania e lobimit të kontraktuar nga Ahmetaj, Prism Group thotë në deklaratën e saj në Regjistrin e Agjentëve të Huaj, FARA në SHBA se ajo “do të advokojë për llogari të dy të huajve: Arben Ahmetaj dhe Erjola Flamur Hoxha, që të dy shtetas shqiptarë”. Deklarata thotë se lobuesit kanë në plan “të kontaktojnë elemenentë të ekzekutivit dhe legjislativit të qeverisë së shtetit amerikan në përmbushje të detyrimeve kontraktore”.

Synimi i lobimit është “të edukojë politikëbërësit mbi akuzat penale të pavërteta të ngritura ndaj klientit nga Qeveria e Shqipërisë”.

Ahmetaj merr përsipër të paguajë 150 mijë dollarë për zbatimin e kontratës, nga të cilat 50 mijë paguhen menjëherë me nënshkrimin, ndërsa pjesa tjetër paguhet në 4 këste nga 25 mijë dollarë çdo muaj deri në korrik.

Politikanë të ndryshëm shqiptarë janë përpjekur në të shkuarën të ndikojnë mbi qeverinë e Shteteve të Bashkuara për problemet e tyre me drejtësinë, por rezultati i këtyre përpjekjeve ka qenë i paqartë. Ish-prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri janë dy politikanë që janë përpjekur të zgjidhin përmes lobimit në SHBA problemet që kanë pasur me drejtësinë në Shqipëri.

Marrë nga Reporter.al

 

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top