Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin festojnë këtë të dielë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ortodoksët kanë ndjekur të shtunën në mbrëmje meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën mes 11 dhe 12 prillit.
Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjalla e Krishtit’, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Mijëra besimtarë morën pjesë në meshën solemne, duke ndezur qirinj dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, shprese dhe besimi.
Atmosfera në këtë natë të veçantë shoqërohet me lutje dhe rituale tradicionale, ndërsa kambanat bien për të shpallur Ngjalljen. Klerikët ortodoksë theksojnë se kjo festë është një thirrje për dashuri, falje dhe bashkim mes njerëzve.