Një përzierje lidershipi futbollistik, trofesh dhe cilësie të pastër për t’i hapur rrugën teknikut Luciano Spalletti në luftën për titullin sezonin e ardhshëm. Kjo është mundësia që Juventus duket e gatshme të shfrytëzojë në përpjekjen për të siguruar Bernardo Silva, yllin e Manchester City. Ndërsa e ardhmja e portugezit mbetet e paqartë, bardhezinjtë po përdorin të gjitha kartat për ta bindur të transferohet në Torino, duke shpresuar të mposhtin konkurrencën e fortë.
Magjia e Zonjës së Vjetër
Juventus, edhe pse nuk mund të konkurrojë në të njëjtin nivel ekonomik me fuqitë kryesore europiane, ka luajtur kartat e saj për të joshur Bernardo Silva: prestigji i klubit, premtimi për një cikël fitues dhe një kontratë që pasqyron rëndësinë e portugezit në të ardhmen e klubit. Edhe për një kampion me 24 trofe në karrierë, një ofertë e tillë është e vështirë të injorohet.
Kontrata 3+1
Sipas Gazzetta dello Sport, Juventus mbështetet te një kontratë afatgjatë për ta joshur lojtarin. Në edicionin e sotëm, gazeta flet për një kontratë trevjeçare me opsion për një sezon të katërt, me një pagë jo më pak se 7-8 milionë euro. Për një lojtar mbi 30 vjeç, kjo përfaqëson një përjashtim të qartë nga rregulli i klubit. Lëvizja e Juventusit duket se ka entuziazmuar edhe Jorge Mendes, supermenaxherin e portugezit, i cili ka marrë shënim ofertën.
Ëndrra e teknikut Spalletti
Luciano Spalletti, nga ana e tij, mezi pret mundësinë për ta integruar Bernardo Silva në projektin e tij. Ish-trajneri i Italisë, që pritet të rinovojë kontratën deri në 2027, e sheh yllin portugez si boshtin e një Juventus konkurrues dhe teknikisht të fortë. Silva mund të luajë si fantazist ose si mesfushor i gjithanshëm, kudo ku mund të bëjë diferencën.
Klubet e tjera
Ish-lojtari i Monaco, i shpërthyer nën drejtimin e teknikut Guardiola te Manchester City, po vlerëson edhe opsione të tjera joshëse, mes tyre Barcelona, Benfica dhe disa oferta të pasura nga Arabia dhe MLS. Juventus megjithatë nuk dorëzohet dhe vazhdon presionin, edhe falë ndihmës së Francisco “Chico” Conceição, shok skuadre në kombëtare dhe me të njëjtin menaxher.