Duke marrë shkas nga fitorja e Peter Magyar në Hungari që dominoi krejtësisht rrjetet sociale në dy vitet e fundit, Sali Berisha i ka bërë thirrje krerëve të seksioneve dhe deputetëve të PD që të reagojnë vazhdimisht në rrjetet sociale dhe të jenë më aktivë me statuse dhe videot e tyre. Berisha tha se rrjetet sociale do të monitorohen për gjithësecilin, pasi antarët e PD kanë vënë re se shumë prej drejtuesve rrinë të heshtur dhe nuk reagojnë.
“Duhet të tregoni trimërinë tuaj në rrjetet sociale” u shpreh Berisha, duke shtuar se gjithësecili duhet të mësojë të përdorë aplikacionet e inteligjencës artificiale.
“Duhet të shkarkoni të gjitha aplikacionet IA. T’i keni në celular, Chat GPT, Grok dhe Gemini. Kanë një saktësi që rritet gjithnjë e më shumë. Ndonjëherë kanë halucionacione, por ama ndihma e tyre është e jashtëzakonshme, që të përgënjeshtroni propagandën e shpifur që po bën Edi Rama” u shpreh Berisha.
Denoncimet e Peter Magyar në Hungari sipas mediave ndërkombëtare nuk ishin efektive thjesht në formë, por edhe në përmbajtje. Fituesi i zgjedhjeve atje denoncoi jo vetëm korrupsionin e ministrave të Viktor Orban, por edhe oligarkët përreth tij, duke përfshirë ata që kishin në pronësi mediat.