Kreu i PD-së Sali Berisha ishte mjaft i ashpër mbrëmjen e së dielës në fjalën e tij për mbështetësit që mblidhen çdo natë poshtë banesës së tij. Akuza të forta bëri fillimisht për kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij.
“Çdo ditë që kalon është frymëmarrje e pamerituar për regjimin e krimit, drogës, regjimin e hajnave, trafikantëve, kriminelëve dhe vrasësve. Çdo ditë që kalon, Edi Rama me tentakulat e tij, me organizatën e tij kriminale–qeveri, me krerët kriminalë të bashkive vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin qytetarët shqiptarët” – tha Berisha që ishte akoma më i ashpër me SPAK dhe kreun e tij, Altin Dumani për të cilin tha se mbulon keqbërjet e qeverisë.
“Nga këta mjeranë si Altin Dumani, mercenarë që mburren korridoreve se janë prokurori amerikane. Amerikan, por je i Xhorxh Sorosit o horr, o llum! Dhe fatmirësisht, mos mendo se do të ketë forcë në botë të të mbrojë ty, as Edi Ramën. Jo, jo, sepse keni kryer krime të shëmtuar. Keni përdhosur ligje dhe Kushtetutë!
Monstrat e krimit që tregtojnë çdo natë me vrasës, me kriminelë, me banditë. Që iu marrin përqindjen e fitimit të trafiqeve, u marrin përqinden e fitimit të vrasjeve. Këto monstra janë vërsulur kundër opozitës, pluralizmit në Shqipëri.
Edi Rama mbrohet nga mercenar Dumani, nga llum Dumani. Po tani, o llum që ata të cilët mbrojtën Edi Ramën morën damkën e historisë, ku do shkosh ti që mbron hajdutin, kriminelin, banditin që korruptoi vendit mik dhe aleat shefin e kundërzbulimit, vetëm e vetëm për të luftuar opozitën?
Çfarë fytyre ke ti mor? Ke fytyrë ti? S’ke fytyrë! Ti ke fytyrën e zezë të këpucëve të Edi Ramës, asgjë tjetër! Ti faqezi që drejton një organizatë kriminale politike në Skapin e partisë mbyll dosjet e Edi Ramës, ministrave të tij, zyrtarëve të tij, vëllait të tij. I burgos deputetët e opozitës. Zvarrit ish-presidentë para të cilëve jepje duart në Kushtetutë, o i pa be dhe i pamoral. Të gjitha këto i bën se je një hajdut ordiner.
Të gjitha këto i bën se 8 vite më parë, jo tani, je gjetur me 3 apartamente me rrogën tënde. Po cili shqiptar mund të bëjë 3 apartamente? Cili kriminel të dha ty paratë për t’u bërë me 3 apartamente? Apo të mori peng Edi Rama? Të mbron për të bërë pyetjet 1 milionëshe.
Drejtësia vonon, por nuk harron! E vërteta vonon, por fytyra juaj, karakteri juaj do të dalë në dritë. Dhe harroje se ka diplomatë, harroje se ka shtetar, harroje se ka zyrtar në botë se do të mbrojë Edi Ramën dhe ty nga vrulli, nga revolta, nga zemërimi i shqiptarëve” – tha Berisha.