Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideron rezolutën e miratuar të enjten në Kuvend me votat e PS-së dhe PD-së jo si një “oksigjen politik” për Edi Ramën, por si një provë se opozita nuk po pengon procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët, kreu i PD theksoi se opozita mbështet anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, por kërkon që procesi të bazohet te merita dhe përmbushja reale e kritereve, jo te lobimet politike.
“Rezoluta shpreh që ne mbështesim procesin e integrimit, theksojmë se përveç kriterit gjeopolitik nuk përmbush asnjë kriter. Nga rreshti i parë deri në fund nuk ka asnjë vlerësim për punë e parlamentit dhe qeverisë. Renditen detyra qeveri-parlament. Me votimin e kësaj rezolute, ne mbrojmë interesat e qytetarëve. Kundërshtarët tanë nuk arritën të mbrojnë asnjë arritje të tyre. Ne nuk votojmë kundër integrimit, kjo është çështje kombëtare”, tha Berisha.