Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim” ku tha se ne “nuk kemi një dresjtësi as cilësore dhe as të paanshme”.
Berisha thotë se Rama sulmoi drejtësinë për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkëpunëtorëve të tij.
Berisha shkruan se, ndërsa qindra qytetarë nga Gjirokastra në Shkodër vuajnë pasojat e përmbytjeve, Rama nuk foli për ta, sepse vetë ai dhe ministrat e tij janë përgjegjës për vjedhjen e fondeve të infrastrukturës mbrojtëse.
Sipas tij, “Ramaduro”, siç e quan ai Ramën, është peng i Lubisë dhe përmes shumicës së tij parlamentare ka bllokuar drejtësinë dhe arrestimin e saj.
Berisha thekson se sulmet e Ramës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve tregojnë frikën e tij nga drejtësia dhe përbëjnë një apel për çdo shqiptar që të ngrihet për largimin e tij nga pushteti sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ramaduro sot sulmoi drejtësinë dhe mbrojti menderen e tij! Të dashur miq, në monologun e tij të neveritshëm, Ramaduro sot nuk foli për hallin e dhjetëra mijëra qytetarëve që nga Gjirokastra në Shkodër kanë banesat të përmbytura. Me këtë, ai mirë bëri, sepse përveç motit, shkak tjetër madhor i gjendjes së tyre të vështirë është vetë ai dhe ministrat e tij që, të pangopur, kanë vjedhur fondet e investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet.
Por Ramaduro foli për menderen e tij.
Ai, si peng i Lubisë, pasi ka bllokuar nëpërmjet 83 mandateve të tij të krimit heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, përsëri sulmoi sot drejtësinë e tij, e cila sipas tij “nuk është as e paanshme dhe as cilësore”. Me këto akuza, Ramaduro dëshmon se ai nuk pranon dhe nuk do të pranojë vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, meqë sipas tij ata nuk janë të paanshëm dhe janë injorantë, jo cilësorë! Me këtë qëndrim, Rama sërish pranon fajësinë e tij dhe ky qëndrim është një apel për çdo shqiptar të ngrihet për largimin e tij nga pushteti, një ditë e më parë!” – shkruan Berisha.