Berisha: Rama poshtëroi Shkodrën, ka diskriminuar veriun si askush tjetër

Ish-kryeministri Sali Berisha bëri njësori akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama në fjalimin e përditshëm për mbështetësit që mblidhen pranë banesës së tij. Berisha komentoi vizitën e Ramës në Shkodër duke e akuzuar atë si diskriminues të veriut të vendit.

“Edi Rama ishte në Shkodër. Shkoi në Shkodër pasi poshtëroi qytetin më keq se një pushtues, apo pasi e pushtoi atë me banda, pasi i grabiti votën me vrasësit serialë si Bajrit, me Pëllumb Gjokën dhe banditë të tjerë. Shkoi në Shkodër njëlloj si një pushtues i lig, kapardisej.

E vërteta është se Shkodrën dhe jo vetëm Shkodrën, por kurrë ndonjëherë veriun e Shqipërisë nga Fushë Kruja gjer në Vermosh nuk e ka diskriminuar një sundimtar tjetër sa e ka diskriminuar Edi Rama. Nuk e ka shkretuar një njeri tjetër, sa e ka shkretuar Edi Rama.

Investimet 10-vjeçare të Shkodrës, epiqendra e veriut janë disa herë më të ulëta se ato të bashkisë Divjakë. Në të gjithë veriun nuk ekziston absolutisht asnjë projekt i ri i nisur, përveç se zvarritjes dhe mospërfundimit të një serie projektesh në vazhdim. Vendosi taksën në Rrugën e Kombit. Gjeni kund 100 metër rrugë nga Miloti në Rrëshen që të jetë zgjeruar. Ka 1 muaj që jep një lajm se po përfundon ura e Kukësit, ura që ka filluar të paktën 6 vite më parë” – tha Berisha.

Ish-kryeministri tha se Rama investimet më të mëdha i ka bërë në jug të vendit sepse janë fitimprurëse për atë dhe klanin e tij.

“Shkodrës dhe veriut Edi Rama i bëri gjëmën. Ju duhet ta dini se Shkodra është qyteti më i braktisur nga qytetet e mëdha të Shqipërisë. Ndërkohë potencialet e Shkodrës nuk i ka asnjë qytet tjetër në Shqipëri, Europë dhe më gjerë. Nëse ka një qytet me një mrekulli natyrore, historike dhe çdo gjë është qyteti i Shkodrës të cilin e batërdisin bandat e Edi Ramës, Bajrat, Gjokajt, e bandat e tjera.

Kështu është po të marrësh rrethet me radhë. Në 11 vite mezi përfundoi së asfaltuari 10 kilometra në rrugën Bajram Curri – Valbonë dhe dërgoi atje për tu nderuar të korruptuarin McGonigal dhe e çoi atje për ti dhënë atij titullin ‘Qytetar Nderi’ si anëtar i grupit kriminal të Edi Ramës. Kur e dërgoi Damianin për ti dhënë ‘Qytetin e nderit’ e dinte mirë se çfarë përfaqësonte McGonigali, një turp, një krim si vetja e tij.

Por ky është Edi Rama, ky është morali i tij, kjo është urrejtja e tij atërore, diskriminimi, përçarja e tij kombëtare. Edi Rama askush të mos mendojë se ka investuar në jug, sepse ndihet më jugor. Jo, ka investuar në jug për interesa të veta dhe të klanit të tij. Ju garantoj se investimet në jug janë investime kryekëput fitim prurëse për Edi Ramën dhe bandën e tij. Se prapa çdo investimi qëndron përqindja e tmerrshme që ka vjedhur për veten e tij” – tha Berisha.

Ai tha se qeveria teknike është zgjidhja e vetme.

“Beteja jonë pa kthim, është shpresa e vetme e shqiptarëve. Sakrificat tona janë shpresa e vetme e shqiptarëve. Kauza jonë e drejtë meriton çdo sakrificë. Kauza e drejtë nuk humbet kurrë në rast se ajo nuk tradhtohet nuk dorëzohet. Unë kam bindjen më të thellë se demokratet e demokratët do të mbrojnë me çdo çmim kauzën e tyre e cila do të fitojë si kauzë e drejtë.

Qeveria teknike është zgjidhja e vetme. Vota e lirë e shqiptarëve është rruga e vetme për rikthimin në pushtet të shqiptarëve, për rikthimin në pushtet të PD-së. Thirrja ime për çdo qytetar është të ngrihemi, të mos pajtohemi me pushtetin e krimit” – tha Berisha.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top