Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për mediat, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën qeverisëse se po rrezikojnë seriozisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se sipas tij, zhvillime të fundit dhe informacione që, siç u shpreh ai, vijnë nga kancelari evropiane dhe Brukseli, tregojnë se kryeministri Rama ndodhet “në rreth të kuq” për shkak të qëndrimeve që po mban në raport me procesin e integrimit. Ai e akuzoi kryeministrin se po vepron në kundërshtim me zotimet e marra në kuadër të këtij procesi, me qëllim mbrojtjen e interesave personale dhe politike.
Sipas Berishës, burime që ai i cilësoi si serioze informojnë për diskutime të gjera që po zhvillohen në institucionet evropiane, ku, sipas tij, nuk përjashtohet as mundësia e rishikimit apo zhbërjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ai lidh këto zhvillime me atë që e quajti sjellje antikushtetuese, antidemokratike dhe antiligjore të kryeministrit, duke përmendur konkretisht çështjen e dosjeve që lidhen me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI-n.
Kreu i opozitës theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një nga proceset më jetike për të ardhmen e vendit dhe, sipas tij, po vihet në rrezik nga veprimet e qeverisë aktuale.