Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot një konferencë për mediat nga selia blu, ku hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe disa zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se Rama është i “ngërthyer kokë e këmbë nga mafia”, duke përmendur disa emra, mes tyre Belinda Balluku, Ergys Agasi, Olta Xhaçka dhe Taulant Balla. Sipas tij, kryeministri ka vendosur të bllokojë zbatimin e ligjit dhe vendimet e prokurorisë dhe gjykatave, duke kundërshtuar hapur heqjen e imuniteteve.
Berisha akuzoi gjithashtu Ballukun, duke e cilësuar si drejtuese të një organizate kriminale, ndërsa Ramën e përshkroi si “kapo i kapove”. Ai theksoi se, sipas tij, e vetmja shpresë mbeten qytetarët dhe se protesta e tyre do ta detyrojë kryeministrin të largohet nga pushteti.
“Edhe sikur të shkojë prapa Diellit, do ta sjellim në gjykatë në Shqipëri,” deklaroi Berisha, duke shtuar se revolta qytetare do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.