Kreu i PD Sali Berisha ka folur për çështjen e trafikut të drogës në vendin tonë. Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se reagimet e fundit të Ramës përbëjnë përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problematikat e brendshme, duke akuzuar vendet aleate.
Kryedemokrati theksoi se situata e narkotikëve në Shqipëri mbetet shqetësuese dhe lidhet me mënyrën se si janë menaxhuar institucionet dhe lufta kundër krimit të organizuar. Berisha u shpreh se deklaratat e kryeministrit nuk reflektojnë realitetin, por synojnë të mbulojnë lidhjet e mundshme të pushtetit me aktivitetet kriminale.
‘Është e vërtetë që kartelet shqiptare të drogës, dhe jo vetëm shqiptare, përdorin edhe porte të tjera të vendeve evropiane për shkarkimin e ngarkesave të mëdha të kokainës. Por është e vërtetë se nuk ka asnjë vend tjetër si Shqipëria, në të cilin portet të jenë që të gjitha në dispozicion të karteleve të drogës. Përfshi edhe portet e peshkimit. Pra, Edi Rama u përpoq të lajë duart si padrino i narkoshtetit duke akuzuar vendet partnere, drejt të cilave eksporton drogë dhe krim 24 orë në 24 orë, por këto janë përpjekje të kota se e vërteta është se edhe ato operacione antidrogë të kryera në Shqipëri janë ndërmarrë të gjitha pa përjashtim nga Europoli, Eurojust, DEA dhe agjencitë e zbatimit të ligjeve të vendeve partnere, Antimafia italiane, prokuroria gjermane. Në mënyrë absolute asnjë operacion i rëndësishëm nuk ka qenë iniciativë e policisë apo organeve shqiptare. Përkundrazi kanë qenë dekonspirime shumë të mëdha.
Mos harroni ju rastin Xibraka kur u instalua uzina e miellit të bardhë më e madhja në Ballkan, dhe Olsi Rama sipas dëshmive të depozituara në prokurori, është njeriu që përcolli jashtë shtetit Genti Xhixhën, bosin e grupit të Xibrakës. Pra, në çdo fjalë, në çdo qëndrim, në çdo përpjekje të Edi Ramës, ai vetëm sa vetëdemaskohet më shumë. Është vetë droga Edi Rama. Është vetë kartelet e drogës. Nuk ka kryeministër tjetër në Evropë që të t’u ketë dhënë trafikantëve miliona e miliona metër katror troje publike. Shqipëria është sot lavatriçja më gjigante e kontinentit e parave të drogës. Treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë se në BE. Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, përpjekje të turpshme të Edi Ramës për të akuzuar vendet partnere në mënyrë që të mbulojë krimet e tij, lidhjet e tij monstruoze me drogën dhe shndërrimin e Shqipërisë në eksportues kryesor të krimeve, drogës dhe trafiqeve në kontinent,’ tha Berisha.