Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se ka mashtruar pensionistët përmes skemës së bonusit elektoral. Në një konferencë për mediat, ai deklaroi se fondet e premtuara nuk janë shpërndarë ende, ndërkohë që kjo shtresë po përballet me rritje të vazhdueshme të çmimeve.
Berisha theksoi se kanë kaluar disa muaj nga zgjedhjet e 11 majit, por pensionistët nuk kanë përfituar nga fondi i shpallur. Sipas tij, bëhet fjalë për një shumë prej 240 milionë eurosh të depozituara në Bankën e Shtetit, të cilat, sipas vendimeve të qeverisë, duhej të ishin shpërndarë si bonus.
“Kanë kaluar kaq muaj dhe pensionistët nuk kanë marrë një qindarkë nga fondi i depozituar në Bankën e Shtetit prej 240 milionë eurosh para të pashpenzuara gjatë vitit 2025. Sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do u disbursoheshin si bonus pensionistëve.
Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar, çka do të thotë se ai po përdoret nga qeveria për qëllime të tjera dhe po ruhet që t’u jepet në fund të vitit. Pra, nuk po u mundësohet pensionistëve me çmimet stratosferike që rriten nga java në javë, nga muaji në muaj.”, u shpreh Berisha.
Ai e cilësoi të gjithë skemën si një mashtrim, duke argumentuar se një pjesë e madhe e pensionistëve nuk përfitojnë realisht nga ajo.
“Së dyti, skema e bonusit është mashtrim pasi në këtë skemë mbi 45 përqind e pensionistëve nuk marrin asgjë, ose marrin thërrime, marrin dy kile domate apo tre kile tranguj. Faktikisht bonusi që përfitohet sipas kësaj skeme përjashton pothuajse tërësisht të gjithë pensionistët me pensione invaliditeti, pensione jo të plota e me radhë.”
Berisha shtoi se situata ekonomike e kësaj shtrese po rëndohet për shkak të rritjes së çmimeve, veçanërisht të produkteve ushqimore, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e jetesës së përditshme.
“Rritja stratosferike e çmimeve, e ndikuar thellësisht nga kriza energjetike, ka goditur dhe godet çdo ditë e më shumë këtë shtresë të mashtruar, të injoruar në shkallë ekstreme nga qeveria.”
Sipas tij, çmimet aktuale në treg, veçanërisht për produktet bazë si zarzavatet, janë shumëfishuar krahasuar me vitet e mëparshme, duke rënduar ndjeshëm jetën e rreth 750 mijë pensionistëve në vend.
“Në qoftë se kemi parasysh sot çmime që nuk kanë ekzistuar kurrë në tregun e zarzavateve, treg në të cilin një kg domate shitet të paktën 7 herë më shtrenjtë se 7-8 vite më parë, pra kjo bën që kjo shtresë prej 750 mijë qytetarësh të ndjenjë pamundësinë dhe vështirësi të mëdha ditore për ushqimin e vet. Kjo bën që kjo shtresë të mos mund të blejë ilaçet që i duhen për mjekimin ditor të sëmundjeve, dhe dihet se incidenca e sëmundjeve kronike në këtë shtresë është shumë, shumë e lartë.”