Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një prononcim për mediat nga Brukseli, u shpreh se kryeministri Edi Rama ka bërë përpjekje të mëdha për të ndryshuar raportet ndërkombëtare lidhur me zgjedhjet në Shqipëri.
Berisha tha se eurodeputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të PPE, Gahler, mbështeti fuqishëm të gjitha denoncimet e raportit të OSBE/ODIHR, ku sipas tij u ndal në denoncimin e pjesëmarrjes së krimit të organizuar në zgjedhje, bashkëpunimin e politikës me krimin në Shqipëri.
Kryedemokrati paralajmëroi gjithashtu se do të ketë protesta dhe angazhim të qytetarëve shqiptarë në të gjitha format për të mbrojtur votën e diasporës.
Prononcimi për mediat:
Pyetje: Çfarë përpjekjesh ka bërë Rama zoti Berisha?
Berisha: Edi Rama ka bërë përpjekje shumë të mëdha për të ndryshuar raportin, për të ndryshuar jo vetëm këtu, por për të ndryshuar raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë. Por sot, përveç këtij miratimi në Komisionin e Jashtëm të raportit për Shqipërinë, dhe me këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë deputetët e këtij komisioni, në mënyrë të veçantë kryetarin McAllister, koordinatorin e grupit të PPE, zotin Gahler dhe deputetë të tjerë, me të cilët patëm dje takime intensive dhe paraqitëm rastin si duhet për qëndrimet e tyre, për diskutimet e tyre, për denoncimin publik që ata i bënë në këtë komision regjimit të Edi Ramës dhe zgjedhjeve të tij.
Por sot ne ishim në Asamblenë Politike të PPE se ishte dita e dytë. Edhe sot pati përqendrim përsëri te Shqipëria. Kërkesa e zonjës Vokshi, që rezoluta e miratuar në Valencia, e cila parashikoi pikë për pikë farsën elektorale të 11 Majit dhe dokumente të tjera për Shqipërinë, të sensibilizojnë më shumë institucionet ndërkombëtare që kryesohen nga personalitete të qendrës së djathtë evropiane dhe qeveritë e qendrës së djathtë të BE, kërkesë që u prit me shumë mbështetje dhe interes nga drejtuesit e PPE, por edhe diskutantët.
Në këtë seancë sot, përsëri eurodeputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të PPE, zoti Gahler, mori fjalën ku mbështeti fuqishëm të gjitha denoncimet e raportit të OSBE/ODIHR dhe në mënyrë të veçantë u ndal në denoncimin e pjesëmarrjes së krimit të organizuar në zgjedhje, bashkëpunimin e politikës me krimin në Shqipëri. Ndër të tjera unë dua të informoj shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar se një nga qëllimet e këtij udhëtimi ishte të denoncoja pranë autoriteteve të këtij tempulli, ndërhyrjet banditeske, ndërhyrjet e turpshme në formë presionesh të Edi Ramës dhe ministrit të jashtëm pranë vëzhguesve të OSBE/ODIHR në mënyrë që të mund të ndryshojnë raportin.
Pra, unë them se udhëtimi, qëndrimi dyditor në tempullin e demokracisë evropiane, realizoi qëllimet e tij.
Por unë pata edhe një takim me drejtuesit e PD për Brukselin dhe diskutuam gjerësisht për një plan. Qytetarët europianë do i dalin zot votës së tyre të shkelmuar nga narkoregjimi i Edi Ramës.
Pyetje: Po paralajmëroni protesta në institucionet ndërkombëtare?
Berisha: Paralajmërojmë të gjitha format e angazhimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për votën e tyre. Edi Ramës do i ngecë në fyt vota e diasporës dhe dhunimi që iu bëri zgjedhjeve.