Kryetari i PD-së, Sali Berisha e quan të përmbushur misionin e protestës së të martës në Tiranë. Madje sipas tij ajo ishte një triumf.
“Triumf i vërtetë! Dhjetëra e mijëra qytetarë sonte triumfuan në mosbindje civile. Tirana në duart e qytetarëve! Nderim dhjetëra e mijëra opozitarëve, që me mosbindjen e tyre civile ua kthyen Tiranën qytetarëve dhe lemeritën narkoregjimin e urryer të Edi Ramës. Mirënjohje dhe nderim të gjithë atyre që organizuan dhe morën pjesë në këtë mosbindje madhështore. Është radha jonë! Është radha jonë! Është radha jonë! Fitore!” – shkruan Berisha në Facebook.
Më pas Berisha akuzon policinë se ka ushtruar terror antikushtetues ndaj aktivistëve dhe drejtuesve të PD-së.
“Narkopolicia e Padrinos, Edi Rama në një aktivitet fund e krye antikushtetues, ka ushtruar dhunë dhe ka ndaluar për “miting” të paligjshëm rreth 36 aktivistë dhe drejtues të PD-së. Dënoj me forcën më të madhe këto akte antikushtetuese të Ediskobarit dhe narkopolicisë së tij, si një shkelje flagrante të vendimit Nr. 47 dt. 04.05. 2021 të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën kjo gjykatë në zbatim të vendimeve të GJNDNJ vendos të hiqet menjëherë nga legjislacioni shqiptar detyrimi për të kërkuar leje për protestë dhe termi miting i paligjshëm.
Por, për Edi Ramën dhe narkopolicinë e tij, Gjykata Kushtetuese është Xhaçko-Kushtetutë. Dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime antikushtetuese të Edi Ramës dhe narkopolicisë së tij dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të aktivistëve dhe drejtuesve të PD-së, që morën pjesë në mosbindjen civile më të fuqishme, që dridhi themelet e narkoregjimit të Edi Ramës” – shkruan Berisha.