Kreu i PD, Sali Berisha, theksoi se partia që ai drejton mbetet e hapur dhe mirëpret që çdo njeri ta thotë fjalën pa ndrojtje. Gjatë një takimime demokratët e Mirditës Berisha iu referua dhe takimeve që ish-deputeti Ervin Salianji nisi ditën e djeshme në Durrës.
“Janë propozimet tuaja, kritikat tuaja, sugjerimet tuaja, tërheqja e vlerave nga secili prej jush në këtë parti, ato që do e ngrenë këtë në lartësinë e përmbushjes së një misioni historik. E vetmja forcë politike në Europë që përmbysi dy diktatura dhe kjo do jetë Partia Demokratike.
Ne jemi dhe do mbetemi parti e hapur, absolutisht parti e fjalës së lirë dhe e mendimit të lirë. Në këtë parti, çdo njeri do ketë të drejtë të kritikojë, të votojë kundër në vullnetin e tij të lirë.
Por si çdo parti tjetër, është një parti me rregullat e miratuara bashkërisht. Dhe ato duhet të respektohen. Nuk mundet kurrë t’i imponohesh në atë mënyrë.
E kam fjalën këtu, secili nga demokratët, çfarëdo gjëje që të ketë, duhet ta thotë pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve. Secili demokrat do ketë të drejtën të votojë për cilindo. Të votojë i lirë.
Por secili demokrat e ka për detyrë që tani të mendojmë që atë proces që futëm, zbatuam së bashku, si ta përsosim? Si ta bëjmë më solid, më të drejtë? Si t’i bëjmë ato lista? Listat janë tuajat, nuk janë të Tiranës. S’mund të bëjë Tirana lista. Si t’i bëjmë këto lista më të besueshme nga secili prej nesh?
Si të afrojmë ne, çdo njeri prej nesh, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua, me vlera, që e njeh. T’i thotë hajde, jemi në një betejë për të një rëndësie të jashtëzakonshme” – tha Berisha.