Lideri i opozitës, Sali Berisha, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve sot lidhur me hetimin që ka nisur SPAK ndaj tij dhe ndaj bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezit, lidhur me privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani”
“Së pari nuk ka asnjë akuzë të ngritur nga drejtësia, – nënvizoi Berisha. – Duhet të keni njohuritë e nevojshme. Asnjë akuzë!
Nuk kanë qenë në gjendje, me gjithë keqësinë e tyre ekstreme, me gjithë zellin patologjik, janë angazhuar në manipulim dhe fshehje dokumentesh dhe në fund pas tre vitesh në 200 faqe, nuk kanë ngritur asnjë akuzë!
Çdo njëri që thotë akuzë, kur e bën pa dashje, duhet të mësojë që nuk ekziston.
Kur e bën me dashje, tregon keqësinë e tij shpirtërore. Nuk kanë ngritur akuzë!
Dokumenti i tyre më dërgon mua dhe dhëndrin tim në gjykatë, dhe Fatmir Bektashin, një ndërtues në dijeninë time korrekt dhe që ka zbatuar ligjet. Pra dërgon këto tre persona në gjykatë, si persona në hetim.
Dhe kjo person në hetim është krejt tjetër. Të qartësohemi, nuk kanë hapur çështje penale ndaj nesh. Se nuk kanë gjetur. Nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të faktojë se është kryer shkelja më e vogël ligjore.
Kanë kaluar në donkishotizma klasore duke sulmuar ligjet të reformave themelore në parlament. Dhe duke i lidhur ato…
Të them unë ty, për heqjen e vizave të garantoj se janë ndryshuar të paktën 15 ligje dhe ka dhjetëra vendime. Dhe është njëlloj të thuhet se këtë e bëri Sali Berisha për të hequr vizat për familjen e tij!
Pra, një përpjekje për të marrë pushtetin e parlamentit, për të marrë pushtetin e ekzekutivit… jo se janë vendime kolektive, jo, por janë vendime të bazuara në ligj.
Një gjë duhet ta dini ju, aty ku zbatohet me përpikmëri ligji, nuk ka dhe nuk mund të ketë korrupsion. Korrupsioni është një fenomen që lind dhe lëshon shtet vetëm në rast se shkelet ligji.”