Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha do të zhvillojë sot konferencën e parë për shtyp duke qenë i pranishën në selinë blu që nga vendosja e masës së sigurisë. Kjo lëvizje vjen për të dhënë dhe mesazhet e para nga Berisha pak orë pas heqjes së masës “arrest shtëpie” nga GJKKO.
Ky vendim u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj deklaroi se ndaj Berishës nuk është caktuar asnjë masë tjetër sigurie. Ai shtoi se Prokuroria kërkoi që Berisha të qëndronte në “arrest shtëpie”.
Më 30 dhjetor 2023 Gjykata e Posaçme njoftoi se e kishte vendosur masën arrest shtëpiak ndaj Berishës i cili është duke u hetuar së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi (aktualisht nën masën “arrest shtëpie”) për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.