Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi qeverinë nga foltorja me demokratët në Kamëz, për keqpërdorim masiv të fondeve publike, duke marrë si shembull rrugën Qukës–Qafë Plloçë, loti i tretë prej 9 km që kushtoi 87 milionë euro, rreth 9 milionë euro për kilometër, pa ura e tunele.
Ai e krahasoi këtë projekt me Rrugën e Kombit, ku sipas tij, për të njëjtën mesatare, ka gjerësi më të madhe, dhjetëra ura dhe tunele të gjata. Berisha tha se rruga po shembet në çdo segment, duke e cilësuar këtë si një plaçkitje të pabesueshme të parave publike.
Ish-kryeministri akuzoi gjithashtu lidhjet mes krimit, ndërtimit dhe zgjedhjeve, duke thënë se paratë e drogës dhe krimit shndërrohen në vota, ndërsa votat kthehen në ndërtime dhe leje të dyshimta.
Ai përmendi “kartelin Troplin” në Durrës dhe tha se një pjesë e fondeve të buxhetit përdoret për të deformuar votën e qytetarëve. Berisha theksoi se beteja politike ndodhet “në kilometrin e fundit”.
“Rruga Qukës Qafë Pllocë, loti i tretë 9 km, 87 mln euro, rreth 9 mln euro km. Pa asnjë urë, pa asnjë tunel. Në rrugën e Kombit ka një gjërësi 27 m, dhjetëra ura, tunelet më të gjata dhe mesatarja shkon 9 mln euro. Rruga që po shembet çdo segmenti 9 mln euro. Kanë vjedhur dhe plaçkitur në mënyrë të pabesueshme. Kjo është gjysma.
Gjysma tjetër, gjithë paratë e krimit dhe drogës shndërrohen në vota dhe vota shndërrohet në krim dhe drogë. Karteli Troplin, pasi me të gjitha mjetet dhunoi zgjedhjet në Durrës, çfarë ndodhi, 5 kulla, 12 ndërtime. 30 mijë km tokë ndërtime te Niko Dovana. Pra paratë në votë, vota në ndërtim me krimin. Çfarë ndodh me paratë e buxhetit? Një ushtri e tërë mobilizohet për të shkelmuar votën tuaj.
E patë si lotet e Unazës shkoni në qiell çmimi, se disa mln për lot merrnin mediat që mashtronin. Mashtrimi në votë dhe vota në mashtrim. Kjo është situata. Ku jemi ne? Sot opozitarët janë të lodhur, janë edhe të rraskapitur. Kanë vuajtur, sakrifikuar. Megjithatë sot jemi absolutisht në kilometrin e fundit.”