Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar vendimin e autoriteteve shqiptare për të shpallur “non grata” gazetarin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Valon Bela, duke e cilësuar atë si një sulm të rëndë ndaj lirisë së medias dhe fjalës së lirë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Bela është një gazetar i njohur dhe ish-luftëtar i UÇK-së, i cili sipas tij është ndaluar të hyjë në Shqipëri vetëm për shkak të kritikave publike ndaj kryeministrit Edi Rama.
Protesta dhe non grata/ Kush janë dy shqiptarët e Maqedonisë që iu ndalua hyrja në Shqipëri
4 Gusht, 19:15
“Të shpallësh një gazetar non grata se ai nuk pajtohet me qëndrimet tua antikombëtare, bën një akt, atentat të rëndë kundër fjalës së lirë, kundër lirisë, mendimit dhe shprehjes së tij”, deklaroi Berisha.
Lideri demokrat e cilësoi Belën “një atdhetar të vërtetë”, duke thënë se ai ka denoncuar vazhdimisht në shkrimet e tij atë që e konsideron afrim të Edi Ramës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Berisha akuzoi kryeministrin se me këtë vendim “zbaton një urdhër të turpshëm të padronit të tij”, ndërsa shtoi se ndalimi i hyrjes së Belës në Shqipëri është i ngjashëm me ndalimin që, sipas tij, autoritetet serbe i kanë bërë gazetarit për të hyrë në Serbi.
Kreu i PD-së kritikoi edhe organizatat shqiptare të gazetarëve për mungesën e reagimit, duke i akuzuar se po heshtin përballë një rasti që, sipas tij, cenon lirinë e medias.
“Është në turpin e organizatave shqiptare të mbrojtjes së gazetarëve që nuk kanë ende asnjë prononcim. Në turpin e tyre tregon varësinë dhe kontrollin qeveritar”, u shpreh Berisha.
Ai u bëri thirrje edhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë një akt antidemokratik.
Në të njëjtën deklaratë, Berisha dënoi edhe ndalimin e hyrjes në Shqipëri të imamit Bekir Halimi. Ai tha se nuk pajtohet me deklaratat e Halimit për rolin e grave në shoqëri, por shtoi se qëndrimet e tij nuk mund të shërbejnë si arsye për t’i ndaluar hyrjen në vend.
Pjesë nga deklarata e Berishës për Valon Belën
Sot gjithashtu, dua të dënoj me forcën më të madhe, shpalljen non-grata të gazetarit të shquar nga Maqedonia e Veriut, Valon Bele.
Valon Bele është nga ata luftëtarë të lirisë, i cili nuk ka ndarë për idealet e lirisë, penën nga pushka. Është një gazetar i njohur, është gjithashtu një ish-luftëtar i UÇK-së.
Valon Bele është një atdhetar i vërtetë, i cili ka denoncuar në shkrimet dhe statuset e tij, veprimtarinë tradhtare të Edi Ramës. Ka denoncuar Edi Ramën si argat të Vuçiçit, si një armik të egër të interesave shqiptarëve. Ai këtë veprimtari e ka patur publike. Dhe Edi Rama e bllokon.
I bllokon hyrjen, e shpall non-grata njëlloj si Aleksandër Vuçiç e ka shpallur për Serbinë. Edi Rama zbaton në këtë mënyrë një urdhër të turpshëm të padronit të tij.
Të shpallësh një gazetar non grata se ai nuk pajtohet me qëndrimet tua antikombëtare, bën një akt, atentat të rëndë kundër fjalës së lirë, kundër lirisë, mendimit dhe shprehjes së tij.
Është në turpin, në turpin e organizatave shqiptare të mbrojtjes së gazetarëve që nuk kanë ende asnjë prononcim. Në turpin e tyre tregon varësinë dhe kontrollin qeveritar.
Ai është një gazetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut, por dhe maqedonas po të ishte, i çdo kombësie po të ishte, t’i ndalosh hyrjen në Shqipëri pse kritikon kryeministrin, asnjë gazetar, asnjë shoqatë gazetarësh nuk mund dhe nuk duhet të pajtohet me këtë. Turp i madh.
Ju kujtohet ju këto shoqata kur unë sulmova me të drejtë, me bazë, me fakte, një pronar mediash, ato mu vërsulën sikur sulmova gazetarët. Ku janë tani? Pse s’ndihen?
U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare të gazetarëve të ngrenë zërin e tyre kundër këtij akti antidemokratik, të dënueshëm, të kreut të narkoshtetit shqiptar.
Imagjinoni ju, puthadorë, puthadorë si Buxhala dhe Stanishiqi apo ai tjetri zbatojnë porositë e Vuçiçit në studiot shqiptare hapur, në mbrojtje të Edi Ramës dhe nuk thotë kush një fjalë.
Kurse Valoni, i cili lufton kundër dy diktatorëve autoritarë të Ballkanit, ai ndalohet për të hyrë në Shqipëri. Më thoni pak, ky është një akt i shëmtuar.
Dënoj gjithashtu edhe ndalimin e imamit, për faj, se paska thënë një fjalë që absolutisht nuk duhet ta thoshte. Por mendësia e tij nuk mund të jetë kurrë shkak për të ndaluar hyrjen në një vend ku vrasjet e grave janë më të shumta se në të gjithë Evropën të marra së bashku.
Ku vetë Edi Rama është i akuzuar në mënyrat më të ndryshme për keqtrajtime të grave.
Nuk pajtohem me fjalën e tij që gratë duhet të rrinë në shtëpi. Jo. Po kjo nuk mund të ndëshkojë atë që të mos hyjë në Shqipëri.
Përsa u përket organeve që po citojnë, kjo është Vlora Vuçiç, është Vlora Hyseni, e cila qëndis, shpif, manipulon dhe trillon çdo gjë që i thonë padronët e tyre, ajo është një agjente e përbashkët e Vuçiçit dhe e Ramës.
Çfarë mund të ketë një njeri i rrezikshëm qenkan pse quhen Ramoviç Rama.
E pështirë dhe një herë. Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim, por dënoj dhe heshtjen e shoqatave të gazetarëve në Shqipëri.
Që nuk u bën përshtypje se një koleg i tyre që shkruan kundër krimeve, shkruan për gjëmat dhe bëmat e kryeministrit të vendit, ndalohet për të hyrë në vendin e tyre. I implikon kjo heshtje. Faleminderit.