Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se veprimet e kryeministrit Edi Rama, përfshirë nxjerrjen nga burgu e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, janë pjesë e një manovre për të shpërqendruar opinionin publik nga situata e krijuar në parlament.
Berisha theksoi se opozita mbetet e përqendruar në betejën për rikthimin e votës së lirë dhe të drejtën e fjalës së lirë të shqiptarëve, duke paralajmëruar se manipulimet mediatike dhe çdo përpjekje për të mbuluar korrupsionin dhe krimin brenda institucioneve nuk do të ndryshojnë fokusin e saj.
Pjesë nga deklarata:
Tani të gjitha vendimet do të bëhen të ditura, por e kam thënë dhe e them se, me Edi Ramën zgjedhje nuk ka kurrë të lira…
Ka dy taktika, edhe ajo është një taktikë por nuk mund të them asgjë se cili do jetë qëndrimi.
Zgjedhjet mund t’i bojkotojmë, mund t’i bojkotonim zgjedhjet e përgjithshme, nuk kishim asnjë kusht, por në përpjekjen e betejës bojkoti, është edhe ajo një armë, është një formë, por ndofta forma më e lehtë…
Shikoni çfarë ndodh. Edi Rama për të mbuluar këtë piramidë krimi që ngrihet sot para shqiptarëve në parlamentin e karteleve të drogës, në parlamentin e krimit dhe korrupsionit, nxorri përsëri nga qelia Erion Veliajn dhe do të tërheqë mediat me problemin e bashkisë së Tiranës dhe Veliajt dhe përmallimin e madh të Ogertës.
A e patë ju se si u shkri në dënesë Ogerta kur mori vesh lajmin se do të kandidohet. Mos u udhëhiqni nga gjëra të tilla se janë krejtësisht, janë shashka mediatike.
Janë shashka për mediat dhe opozitën, ndaj ne do të mbajmë drejtimin tonë kryesor, betejën për rikthimin e votës së lirë, fjalës së lirë të shqiptarëve.