Në reagimin për ndërprerjen e fondeve të BE për bujqësinë, kreu i demokratëve, Sali Berisha kërkoi nga Komisioni Europian të hetojë edhe paratë e taksapaguesve europianë, që janë përdorur për investime në infrastrukturë në Shqipëri. Berisha tha se vjedhjet e ministrave të Ramës i gjen edhe në projektet e tjera, që duhen hetuar.
“Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare.
Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare. Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave. Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari” tha Berisha.
Në një reagim për mediat, delegacioni i BE në Tiranë njoftoi se ndërprerja e fondeve nga Bashkimi Europian është “një masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”.
Programi IPARD përmbante dhjetëra miliona euro ndihma për bujqësinë shqiptare. Programi IPARD III pritej që të shpenzonte rreth 146 milionë euro në ndihmë të fermerëve shqiptarë, por tanimë fondet janë ndërprerë përkohësisht, pasi zyra e Bashkimit Evropian Kundër Mashtrimeve të buxhetit të BE-së ka hapur hetime për korrupsion në dhënien e granteve për bujqësinë, gjë që ka sjellë vendimin për pezullimin e fondeve.