Berisha: Irena me 5 mbiemra, nuk duhej të ishte më gjyqtare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në deklaratën e tij pas daljes nga SPAK deklaroi se “ky është shteti i Irenës (Gjoka) me 5 mbiemra që vazhdon detyrën në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”.

Berisha theksoi se është “bërë kërkesë pranë KLGJ-së për konstatimin e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës pasi kur ka marrë mandatin nuk ka pasur kriteret e përcaktuara në ligj për të qenë gjykatëse pasi kishte një vendim penal që kishte marrë formë të prerë”.

“Konkretisht, Kushtetuta në nenin 6/1, parashikon se një person, integriteti publik i të cilit është cenuar, nuk mund të vijojë funksionet në organet kushtetuese. Ndalohet, thotë neni, zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozita të tjera.

Nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin publik të funksionarit publik, sipas kushteve të miratuara me ligj, të miratuara me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ky pra është përcaktimi i Kushtetutës, ligji i miratuar me tre të pestat në vitin 2016, ligji 96 i vitit 2016, parashikon në nenin 28/D për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikon se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetase që është dënuar me vendim penal të formës së prerë, në rastin konkret pra, Irena Gjoka”, tha Berisha.

“Po ky ligj parashikon në nenin 66/3, detyrimin e çdo magjistrati për të njoftuar KLGJ-në menjëherë për ekzistencën e një kushti që çon në mandatin e mandatit. Po ky ligj parashikon se gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku ishte gjykatëse Irena Gjoka, do vazhdonin të qëndronin në pozicionin e tyre me përjashtim të rastit kur kishte shkaqe përmbarimin e statusit të magjistratit.

A e kuptoni pra miqtë e mi se kjo delinkuente që fshihet nga Altin Troplini, nga prokurori i përgjithshëm, nga kryeinspektori i përgjithshëm që thotë se nuk na kanë njoftuar, por duket se punonjësit e tij ia kanë fshehur dokumentet, pra kjo qëndron në detyrë duke shkelmuar Kushtetutën e vendit, duke shkelmuar ligjet me tre të pestat, që i diktojnë asaj largimin e menjëhershëm”, shton Berisha.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top