Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se e gjithë Europa është duke pritur protestën e opozitës. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se gjithçka është në duart e të rinjve shqiptarë, e studentëve, e të rinjve punëtorë dhe gjimnazistëve.
Ai u shpreh se janë qindra qytetarë që thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën dhe se opozita po shkon drejt ngujimit në bulevard. Nga zyra e selisë blu, lideri demokrat tha se opozita do të vazhdojmë misionin e përmbysjes së kësaj narkodiktaturë dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët.
“Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë. Të themi të vërtetën. Ne drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të pashmangshme, në mënyrë të sigurt. Ndaj dhe pikërisht ky moment duhet të jetë çështje e diskutimit tonë të gjerë me qytetarët, me mbështetësit tanë, me anëtarët tanë dhe popullin opozitar. Galeria e Ergys Agasit, është galeria më e shëmtuar e shtetit. Ajo do të hyjë në histori si dëshmia më e tmerrshme e degradimit, degjenerimit total të organizatës kriminale që quhet rilindje. Kjo vetëm e vetën se Agasi ishte Rama, jo për arsye tjetër. Se çfarë ishte Agasi? Ishte Rama që vriste pam-pam-pam.
Ishte Rama që përdoret oficerët e policisë për të ekzekutuar në mes të sheshit, të aeroportit të Tiranës. Ishte Rama që urdhëronte të dërgoheshin tek Suel Çela pengjet e marra për t’ua thyer kockat atje, që të hiqnin dorë nga tenderat. Ishte Rama që bën që të jetë i lirë sot. Ergys Agasi jep urdhra njëlloj si më parë. Njëlloj. Po, absolutisht. Përcakton, merr vendime se është Rama. Se normalisht, ai duhet të jetë në burg. Përkundrazi, atë e mbron Ergysi i policisë që quhet Ilirjan Proda, përfaqësues kryesor i karteleve.
Pra, që të mos e zgjasim më tej, gjithçka është në duart e qytetarëve. Gjithçka është në duart e të rinjve shqiptarë, e studentëve, e të rinjve punëtorë, e gjimnazistëve. Dhe unë kam shumë besim. E gjithë Europa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. I kanë përcjellë protestat me simpatinë më të madhe, me vlerësimin maksimal. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë misionin, misionin e përmbysjes së kësaj narkodiktaturë dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët,” tha Berisha.