Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar zhvillimin e një takimi me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, në atë që do të jetë vizita e tij e parë në SHBA pas heqjes së masës që prej vitit 2021 i kishte penguar hyrjen në territorin amerikan.
Takimi, i titulluar “Freedom Works”, do të mbahet të dielën, më 6 shtator, në orën 11:00, në Bergen Performing Arts Center në Englewood, New Jersey. Sipas njoftimit të publikuar nga Berisha, aktiviteti do të zhvillohet në adresën 30 N Van Brunt St, Englewood, NJ 07631.
Udhëtimi merr një peshë të veçantë politike për shkak të historisë së marrëdhënieve të Berishës me administratën amerikane gjatë pesë viteve të fundit.
Në maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Vendimi u bë publik nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, i cili e lidhi masën me pretendime për përfshirje në “korrupsion domethënës” dhe cenim të institucioneve demokratike. Berisha i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe e ka konsideruar vendimin politik.
Situata nisi të ndryshonte pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në maj 2025, Departamenti i Shtetit konfirmoi mundësinë e udhëtimit të Berishës drejt SHBA-së, ndërsa një zëdhënës deklaroi për mediat: “Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it”.
Vendimi i Departamentit të Shtetit për heqjen e masës i është komunikuar atij nga e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, gjatë një bisede telefonike që, sipas Berishës, zgjati rreth 15 minuta.
Zhvillimi ka edhe një domethënie tjetër në debatin politik shqiptar, pasi për pesë vjet statusi i Berishës ndaj SHBA-së u kthye në një prej vijave kryesore të konfliktit brenda opozitës dhe në raportet e saj me diplomacinë amerikane.
Ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ishte ndër zërat më të fortë në mbrojtje të vendimit të administratës Biden. Ajo deklaronte se shpallja e Berishës nuk ishte produkt i një vendimmarrjeje individuale, por rezultat i një procesi të gjatë verifikimi ku, sipas saj, ishin përfshirë disa institucione dhe agjenci amerikane.
Kim argumentonte se kur Sekretari amerikan i Shtetit shpall një person për “korrupsion domethënës”, vendimi kalon nëpër një proces rigoroz shqyrtimi. Në një prej deklaratave të saj më të forta për këtë çështje, ajo tha se “ata që thonë se janë të habitur nuk po tregohen të sinqertë”.
Qëndrimi amerikan i asaj periudhe pati pasoja të drejtpërdrejta edhe në betejën e brendshme të Partisë Demokratike. Ambasada amerikane mbajti një distancë të prerë nga Berisha dhe mbështeti publikisht parimin se SHBA nuk bashkëpunonte me persona të përcaktuar për korrupsion domethënës. Në kulmin e përplasjes brenda PD-së, Kim përdori edhe metaforën e njohur të “barit”, duke paralajmëruar demokratët për pasojat politike të izolimit të partisë.
Pesë vjet më vonë, Berisha jo vetëm nuk është më jashtë drejtimit të PD-së, por përgatitet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara dhe të zhvillojë një aktivitet publik me diasporën shqiptare në New Jersey.
Heqja e masës rrëzon të paktën një bindje që për vite u trajtua në debatin politik shqiptar pothuajse si aksiomë: se një përcaktim i tillë amerikan ishte praktikisht i pakthyeshëm.
Takimi i 6 shtatorit në New Jersey, për Berishën shënon rikthimin fizik në SHBA pas pesë vitesh dhe mbyll, të paktën në planin administrativ, një kapitull që ndikoi fort në politikën shqiptare, në përplasjen brenda opozitës dhe në marrëdhëniet e saj me Uashingtonin.