Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sot intervistën e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, duke nënvizuar si thelb të saj kapjen e drejtësisë së re nga Edi Rama. Ajo që dyshohej prej kohësh, se SPAK nuk guxon të hetojë porcedurat e aferave tronditëse të korrupsionit qeveritar sepse ato do të çonin tek kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, u deklarua nga ish numri dy i qeverisë, i cili pranoi botërisht se pronarët realë të inceneratorit janë Rama dhe Veliaj.
“Arben Ahmetaj dëshmoi se arrestimi, ndjekja, persekutimi i tij si një person që nuk ka asnjë firmë përveç katër kundërshtimeve kategorike ndaj kërkesave të Erion Veliaj, është bërë me urdhër të Edi Ramës dhe qëllimin e vetëm për të shmangur nga Dumani hetimin procedurës ligjore, sepse ajo të çon direkt tek Edi Rama, Engjëll Agaçi, Erion Veliaj”, tha kreu i PD, Sali Berisha.
Duke iu referuar hetimit dhe urdhër arrestit për Ahmetajn, Sali Berisha tha: “Me dëshminë e tij publike para shqiptarëve, Arben Ahmetaj provoi 100% ato që PD ka faktuar me dokumente zyrtare të firmosura nga Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, etj., për vjedhjen e shekullit. Arben Ahmetaj si zv/kryetar i Këshillit të Ministrave u tha shqiptarëve se krerët e vërtetë, realë të aferës së djegësit të Tiranës që shkon sipas tij mbi 700 mln euro dhe vazhdon të gllabërojë taksat e shqiptarëve janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Në dëshminë e tij publike para shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar, Arben Ahmetaj zhbëri dje me argumente të pakundërshtueshme Skrapin e Edi Ramës. Ai faktoi kontrollin e plotë total të Edi Rames mbi Skapin dhe drejtësinë e re…
Në këtë kontekst, Arben Ahmetaj është pa asnjë diskutim i përndjekuri i Edi Ramës dhe prokurorisë së tij që kontrollon, për të shpëtuar kokën e tij dhe të bandës përreth tij”.