Kalimi në tunelin e Llogarasë nuk do të jetë më falas. Brenda këtij muaji, automjetet do të duhet të paguajnë për të përshkuar segmentin 5.9 kilometra, me një kosto që për autoveturat arrin në 250 lekë për një drejtim dhe 500 lekë vajtje-ardhje, ose afërsisht 1 euro për kilometër.
Ndërkohë, në terren po kryhen testimet përfundimtare të sistemit të pagesave. Kamerat e sigurisë, pajisjet elektronike të kontrollit dhe infrastruktura mbështetëse po verifikohen për të garantuar funksionimin e skemës së tarifimit që pritet të nisë së shpejti.
Tarifat do të jenë të diferencuara sipas kategorive të mjeteve. Motoçikletat do të paguajnë 100 lekë, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë tarifa shkon deri në 5000 lekë. Përveç autoveturave, janë parashikuar 500 lekë për mjete me karroceri dhe 1000 lekë për furgonë dhe autobusë. Përjashtim nga pagesa do të kenë mjetet e emergjencës, policisë, ushtrisë, zjarrfikëses dhe personat me aftësi të kufizuar.
Menaxhimi i sistemit të pagesave do të kryhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, një shoqëri aksionere me kapital shtetëror. Tuneli, i hapur në maj 2025, me dy galeri, një kryesore dhe një emergjence, ka funksionuar deri tani pa tarifë.
Por nisja e pagesave vjen në një moment kur projekti është nën hijen e një hetimi penal. SPAK ka marrë të pandehur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, së bashku me ish-kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli, Erald Elezin etj.
Akuzat janë për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike” në lidhje me procedurën për ndërtimin e tunelit, një kontratë me vlerë rreth 190 milionë euro. Sipas akuzës vlera e projektit ishte rreth disa dhjetëra miliona euro më pak. Por Edi Rama dhe Belinda Balluku anuluan tenderin e parë, udhëtuan drejt Turqisë dhe sollën fiktivisht një kompani që fitoi tenderin e dytë, nuk bëri asnjë punim, por kontraktoi kompaninë shqiptare që kishte dhënë ofertën e parë duke i shtuar rreth 50 milion euro më tepër tenderit.