Fredi Beleri ka folur nga Rinasi, ku mbërriti për të udhëtuar drejt Strasburgut ku do të betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian. Në një prononcim për mediat, Beleri tha se vendimin për t’u dënuar me dy vite burg nga Apeli i Posaçëm do ta ankimojë dhe do ta ndjekë deri në Strasburg. Ndërkohë, sa i takon zgjedhjeve në Himarë, Beleri tha se himarjotët do ia japin përgjigjen qeverisë ditën e zgjedhjeve.
“Po iki drejt Athinës për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të PE në Strasburg. Nesër ka votime dhe vendime të rëndësishme. Këtej e tutje besoj se do t’i kthehem normalitetit.
Herët a vonë dëshira e sovranit respektohet. Më 4 gusht besoj se himarjotët do i japin një përgjigje dhe do reflektohet në rezultatet e votimit.
Do e ankimoj në të gjitha hallkat e drejtësisë shqiptare dhe po nuk gjeta të drejtën do shkoj edhe në Strasburg”, tha Beleri.