Një mbrëmje çmimesh, në Galanë e futbollit shqiptar për Vitin 2025. Nëntë trofe e shumë falenderime, për ata që spikatën në një vit të sukesesshëm për Kombëtaren e Klubet. Bekim Balaj triumfoi në garën për Topin e Artë, duke befasuar Baton Zabërgjën, që ishte favoriti kryesor. Megi Doçi mori trofeun Topi i Artë për vajza, ndërsa pati edhe vlerësime për kuqezinjtë, për atë arritje historike në playoff të Botërorit 2026.
Kombëtarja shqiptare siguroi për herë të parë në historinë e saj kualifikimin në fazën play-off të një Kampionati Botëror.
Mbrëmja gala “Topi i Artë 2025” e organizuar nga FSHF ka nderuar protagonistët kryesorë të këtij viti kalendarik për futbollin shqiptar si dhe ekipin Kombëtar. Një ëndërr e kthyer tashmë në realitet, jo vetëm për futbollistët e Kombëtares, por për të gjithë tifozët shqiptarë që e kanë ëndërruar këtë moment prej vitesh. Një nga trofetë më të rëndësishëm të akorduar mbrëmjen e sotme në Galanë “Topi i Artë 2025”. Ky ishte nderimi i lojtarëve të Kombëtares për arritjen e këtij objektivi madhor dhe historik.
“Ëndërr Botërori” ishte trofeu që iu akordua sonte 12 lojtarëve të pranishëm në këtë event. Duke nisur me Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani e Myrto Uzuni. Për të vijuar me Rey Manaj, Klisman Çeka, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu dhe Nazmi Gripshi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi secilit prej lojtarëve nga një trofe, në shenjë falënderimi për këtë arritje historike. Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2025” / Për të dytin vit radhazi, kapiteni Berat Gjimshiti zgjidhet nga futbollistët e Kombëtares “Lojtari i Vitit i Kombëtares”
Gjimshiti shpallet “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.
Çmimin e veçantë ia dorëzoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Berat Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës. Kështu Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror.
Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare.
Mesazhi i Presidentit të FIFA-s, Infantino, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”
Infantino: Një vit për t’u duartrokitur, jeni vetëm dy fitore larg skenës më të madhe të futbollit
Video-mesazh i Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino
Ai përgëzoi Kombëtaren për kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Botërorit 2026, si dhe organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Presidenti Infantino përgëzoi FSHF-në për investimet në infrastrukturë, “Shtëpinë e Futbollit” dhe rritjen e numrit të futbollistëve. Ai uroi Presidentin Armand Duka, stafin dhe fituesit e mbrëmjes për kontributin e tyre në futbollin shqiptar.
Presidenti Duka: Nga play-off-i i Botërorit te skena europiane
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e mbajtur theksoi se futbolli shqiptar po jeton një moment historik zhvillimi dhe konsolidimi në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vuri në pah sukseset e Kombëtares. Kjo e fundit për herë të parë në histori është kualifikuar në fazën play-off të Botërorit 2026. Ai kujtoi edhe organizimin me sukses të eventeve madhore të UEFA-s në Shqipëri, Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Por edhe mbledhjen historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë.
Presidenti Duka theksoi mbështetjen konkrete për klubet, me shpërndarjen e 3 milionë eurove nga viti 2026 për “Abissnet Superiore” dhe Kategorinë e Parë. Ai foli edhe për rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes në futboll dhe investimet e rëndësishme në infrastrukturë dhe teknologji. Në mbyllje, Presidenti Duka riafirmoi angazhimin e FSHF-së për të synuar standarde edhe më të larta. Kreu i FSHF theksoi edhe punën për të ndërtuar një të ardhme edhe më të fortë për futbollin shqiptar.
Topi i Artë 2025/ Mario Mitaj është “Zemra Kuq e Zi”
Kualifikimi për herë të parë në fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026 ishte kurorëzimi i një viti historik për futbollin shqiptar. Kombëtarja ia doli të siguronte vendin e dytë në grupin K, ku ishte shortuar me Anglinë, Serbinë, Letoninë e Andorrën. Ashtu sikurse edhe në vitin e kaluar të mbrëmjes gala, edhe këtë vit u nderua me trofeun “Zemra Kuq e Zi” një nga lojtarët e Kombëtares. Ky çmim është votuar nga të gjithë anëtarët e klubit “Tifozët e Kombëtares”.
Tifozët patën mundësi të votonin përmes një e-mail-i të dërguar nga FSHF dhe pas numërimit të votave, fitues u shpall mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj. Ky trofe pasqyron vlerësimin e tifozëve për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin ndaj fanellës kuqezi. Trofeun ia dorëzoi Lorik Cana, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares. Në një fjalë të shkurtër, mbrojtësi u shpreh i lumtur dhe krenar që është vlerësuar nga tifozët me këtë trofe.
Megi Doçi fiton “Topin e Artë” dhe “Këpuca e Artë” për vajza 2025
Megi Doçi, sulmuesja e Kombëtares shqiptare dhe e Vllaznisë, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Topi i Artë” për vajza 2025. Ky është trofeu i tretë i këtij lloji në karrierën e saj, duke e bërë atë një nga futbollistet më të spikatura në historinë e futbollit të vajzave në vendin tonë. Në garë për këtë çmim të rëndësishëm ishin edhe futbollistet Xhesika Ndoj (Gramshi), Arbiona Bajraktari (Vllaznia) dhe Xhulia Xhindole (Apolonia).
Gjithashtu Megi Doçi është fituese e trofeut “Këpuca e Artë 2025” për vajza për edicionin futbollistik 2024-2025. Ky trofe nuk ka pasur nevojë për votim pasi është përcaktuar në bazë të golave të shënuar përgjatë këtij sezoni. Me 83 gola të realizuar me Vllazninë, Doçi është renditur në krye të listës së golashënueseve në kategorinë e vajzave.
Bekim Balaj, futbollisti më i mirë i vitit, fiton “Topin e Artë” 2025
Bekim Balaj është fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2025, duke u shpallur kështu futbollisti më i mirë i vitit në Shqipëri. Balaj triumfoi ndaj Baton Zabërgja (ish-sulmues i Dinamo City), Mario Dajsinani (portier i Egnatias) dhe Dejvi Bregu (mesfushor i Dinamo City-t). Ky është “Topi i Artë” i dytë në karrierën e sulmuesit të Vllaznisë. Presidenti Duka i dorëzoi Balajt trofeun më të rëndësishëm të mbrëmjes, duke e uruar për sezonin fantastik me Vllazninë.