Edhe pas tërheqjes nga futbolli, David Beckham vazhdon të ketë një fizik për t’u pasur zili. Në prag të 50-vjetorit, ish-ylli anglez ndjek ende një rutinë strikte stërvitjeje, shpesh bashkë me bashkëshorten e tij, Victoria. Kjo disiplinë jo vetëm e mban në formë, por edhe e ndihmon të përballojë pasojat e dëmtimeve që ka pësuar gjatë karrierës së tij të gjatë si futbollist. Gjatë viteve, Beckham është përballur me disa lëndime serioze, disa prej të cilave nuk janë bërë publike deri më sot.
Dëmtimi i fshehtë i Beckham
Revista Men’s Health ka ndjekur nga afër ish-mesfushorin, duke zbuluar detaje rreth metodave të tij të stërvitjes dhe sekreteve të tij për të ruajtur formën. Por Beckham ka rrëfyer edhe për disa probleme që e kanë shqetësuar në vitet e fundit të karrierës. Njëri prej tyre ishte një dëmtim i rëndë në shtyllën kurrizore, i pësuar gjatë një prej ndeshjeve të fundit me LA Galaxy – një lëndim që nuk ishte bërë publik më parë dhe që ndodhi pak para se ai të tërhiqej nga futbolli me fanellën e PSG-së.
Një dhimbje që nuk po gjente shpjegim
Në kohën kur ishte ende lojtar, nuk kishte të njëjtën vëmendje të detajuar ndaj përgatitjes individuale si sot. Tani, Beckham përfshin në rutinën e tij të përditshme terapi si banjat me akull, stretching, ushtrime për lëvizshmërinë dhe pajisje të ndryshme për rikuperim. Këto e ndihmojnë të lehtësojë dhimbjet e shkaktuara nga dëmtimet e së kaluarës.
Megjithatë, njëri prej tyre e ka shqetësuar më shumë se të tjerët – ai që pësoi në Los Angeles, për të cilin shumë pak njerëz kishin dijeni: “Jetoja në Los Angeles dhe më është thyer shtylla kurrizore. Ndjeva dhimbje pas një ndeshjeje, bëra një skanim, por nuk gjetën asgjë të pazakontë.” Beckham ishte i bindur se diçka nuk shkonte dhe kërkoi analiza më të thelluara. Ishte atëherë kur zbuloi të vërtetën që nuk e kishte imagjinuar: “Këmbëngula se diçka nuk ishte në rregull, e ndjeja. Më pas më injektuan një lëng dhe problemi u zbulua. Ishte një përvojë e tmerrshme.”
Pak kohë më vonë, Beckham vendosi t’i jepte fund karrierës si futbollist dhe të niste një kapitull të ri në jetën e tij, duke arritur sukses edhe jashtë botës së sportit.